VMRO-DPMNE: Filipçe dhe Zaev ushtruan presion për t’ia marrë Klinikën “Zhan Mitrev”, kërkohet hetim urgjent
VMRO-DPMNE ka dalë me akuza ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ish-kryeministrit Zoran Zaev, duke u bazuar në dëshminë publike të mjekut dhe pronarit të Klinikës “Zhan Mitrev”.
Në një konferencë për shtyp, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, deklaroi se Zhan Mitrev ka bërë të ditur në një intervistë për televizion kombëtar se gjatë kohës kur Filipçe dhe Zaev ishin në pushtet, ata e kanë kërcënuar dhe i kanë ushtruar presion me qëllim që t’ia marrin pronësinë e spitalit.
Sipas Stojanoskit, në kulmin e një procesi gjyqësor kundër Mitrevit, institucionet shtetërore kanë bllokuar llogarinë personale të tij dhe llogaritë e klinikës, si dhe është vendosur ndalesë për shitjen e spitalit. Ai theksoi se, sipas dëshmisë së Mitrevit, vetëm një javë pasi përfaqësues të pushtetit të atëhershëm kishin shprehur interes për marrjen e klinikës, Prokuroria Publike e kishte hequr ndalesën.
“Si është e mundur një veprim i tillë?”, pyeti Stojanoski, duke ngritur dyshime serioze për ndikim politik në institucionet e drejtësisë.
VMRO-DPMNE gjithashtu pretendon se ka pasur përpjekje që Klinika “Zhan Mitrev” të blihej me një çmim shumë më të ulët se vlera reale dhe ajo e tregut, gjë që sipas partisë përbën abuzim të rëndë me pushtetin.
Në reagim thuhet se partia është e tronditur nga gatishmëria e Filipçes dhe Zaevit për, siç u shprehën, përfitime personale, në një kohë kur qytetarët po përballeshin me pasojat e rënda të krizës së COVID-19 dhe vaksinat nuk ishin siguruar me kohë.
Në fund, VMRO-DPMNE i bëri thirrje Prokurorisë Publike që menjëherë ta hetojë rastin dhe të veprojë në mënyrë të paanshme dhe pa selektivitet ndaj të gjitha pretendimeve të ngritura.

