UNICEF: Pavarësisht armëpushimit, fëmijët në Gaza po vdesin nga sulmet dhe i ftohti

UNICEF: Pavarësisht armëpushimit, fëmijët në Gaza po vdesin nga sulmet dhe i ftohti

Zëdhënësi i Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF), James Elder tha se pavarësisht armëpushimit të arritur mes Hamasit dhe Izraelit, fëmijët në Gaza vazhdojnë të vdesin si pasojë e sulmeve dhe të ftohtit.

Elder iu përgjigj pyetjeve të Anadolu-s lidhur me situatën e fundit në Gaza, ku ndodhet për detyrë, nën sulmet dhe kufizimet e Izraelit.

Duke thënë se në Gaza po përjetojnë një ditë të zymtë, Elder tha: “Jashtë fryen erë e fortë si stuhi. Mund t’i shihni çadrat duke u përkulur anash. Ka shumë reshje, fëmijët lagen dhe është e pamundur të ngrohen. Këtë situatë e kemi prej dy vjetësh e gjysmë. Pra, flasim për familje që vuajnë nga problemet e ushqyerjes dhe që kanë sistem imunitar të dobësuar”.

Elder tha se me armëpushimin janë shënuar disa përparime dhe se ka dëshmuar hapjen e një qendre arsimore të UNICEF-it në veri të Gazës si dhe krijimin e qendrave shëndetësore në mbarë Rripin e Gazës.

Ai shtoi se këto janë shenja pozitive, por jo të mjaftueshme, duke vijuar: “(Në Gaza) Pas dy vjetësh e gjysmë përjetimesh, nuk ka fonde të mjaftueshme. Autoritetet (izraelite) ende po pengojnë ilaçet bazë, gazin për gatim për familjet dhe fëmijët ende po vriten. Që nga shpallja e armëpushimit janë vrarë 100 vajza dhe djem. Kjo do të thotë se gjatë armëpushimit, mesatarisht çdo ditë vritet nga një fëmijë. Prandaj ka shumë më tepër për t’u bërë dhe nëse respektohen me përpikëri kushtet e armëpushimit, shumë nga këto gjëra nuk janë të vështira për t’u realizuar”.

– “Po përballemi me një shkatërrim të paprecedent”

Elder thekson se në Gaza nuk po mbërrin ndihmë humanitare e mjaftueshme.

Duke folur për vështirësitë me të cilat përballen ende familjet në Rripin e Gazës, Elder tha: “Na duhen çadrat më të mira të mundshme. Këto familje kishin shtëpi. Kishin shtëpi me katër mure dhe ujë të ngrohtë. Nëse mendojmë se si duhet ta nisë ditën një fëmijë gjatë armëpushimit, natyrisht ai duhet të flejë në një vend të sigurt dhe të ngrohtë. Të zgjohet, të pijë një pije të ngrohtë, të hajë pak ushqim dhe të shkojë në shkollë. Fëmijët tani po marrin vetëm një ose dy nga këto pesë gjëra”.

Ai shtoi se palestinezët po punojnë shumë për riparimin e sistemeve të ujit dhe kanalizimeve, duke vënë në dukje se këto përpjekje po japin rezultate falë iniciativës së tyre.

Duke treguar se shumë gjëra po rindërtohen në Gaza, Elder u shpreh: “Po përballemi me shkatërrim të paprecedent. Përveç shkatërrimit fizik dhe psikologjik, janë shkatërruar spitale, shkolla dhe shtëpi. Prandaj duhet bërë shumë më tepër dhe kjo fillon me lejimin e një sasie të pakufizuar të ndihmës humanitare”.

Elder tha se si UNICEF kanë arritur të rikthejnë rreth 150 mijë fëmijë në shkollë, por theksoi se vetëm 1 në 5 fëmijë po arrin të ndjekë mësimin.

– “Shtatë fëmijë të vegjël kanë vdekur nga hipotermia”

Duke theksuar se në Gaza po mbizotëron një i ftohtë shumë i ashpër, Elder tha: “Duket sikur njerëzit harrojnë sa ftohtë është këtu. Në të vërtetë është shumë ftohtë dhe me erë, dhe për shkak se jemi në bregdet, ka edhe lagështi. Sot gjatë gjithë ditës ka patur erë me shpejtësi 30-40 kilometra në orë. Ka patur shumë shi dhe të ftohtë. Si do të ngroheni? Si do të ngrohen fëmijët? Të mos harrojmë se (banorët e Gazës) për dy vjet kanë përjetuar uri të shkaktuar nga njeriu dhe kequshqyerje artificiale”.

“Sistemet e tyre imunitare janë në shok. Nga më të pambrojturit, 7 fëmijë të vegjël kanë vdekur nga hipotermia. Gjatë javës së fundit kemi humbur edhe më shumë fëmijë. Kjo tregon sa e vështirë është të jetosh në çadra për dy vjet e gjysmë, sidomos në mes të dimrit”.

Elder thotë se pasojat e vendimit të Izraelit për të ndaluar veprimtarinë e disa organizatave të shoqërisë civile në Gaza do të ndihen më ashpër brenda rreth një muaji, duke shtuar se ky hap do ta bëjë edhe më të pashpresë një situatë tashmë të rëndë.

Ai nënvizon se organizata ndërkombëtare si Mjekët pa Kufij (MSF) janë partnerë kritikë të UNICEF-it dhe po bëjnë punë të shkëlqyer në terren, duke theksuar se organizata si MSF, përveç ngritjes së çadrave-spital, u ofrojnë palestinezëve mbështetje shëndetësore, ushqimore dhe psikologjike.

Elder tha se kanë zhvilluar bisedime me autoritetet izraelite për të siguruar dërgimin e më shumë ndihmave humanitare dhe se UNICEF-i ka arritur të dërgojë në Gaza 75 për qind të ndihmave pas armëpushimit.

Sipas tij, nevojiten ende më shumë ndihma. “E dimë që mungojnë disa ilaçe bazë dhe gazi për gatim. Për të lejuar hyrjen e këtyre materialeve bazë, zhvillojmë takime me autoritetet dy ose tre herë në javë”, tha Elder.

MARKETING