Rusia dëbon diplomatin britanik me arsyetimin se ishte operativ i inteligjencës
Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se ka vendosur të dëbojë një diplomat nga Ambasada Britanike në Moskë me arsyetimin se ai ishte operativ i inteligjencës, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se diplomati britanik u zbulua se punonte për inteligjencën britanike.
Theksohet se Danae Dholakia, e ngarkuara me punë e Ambasadës Britanike në Moskë, u thirr në ministri dhe iu dha notë proteste në lidhje me informacionin e marrë që tregonte se një diplomat ishte i lidhur me inteligjencën britanike. Dholakia u informua se akreditimi i diplomatit ishte revokuar. Diplomati duhet të largohet nga Rusia brenda dy javësh.
Në deklaratë u njoftua se Rusia nuk do të lejojë që inteligjenca britanike të veprojë fshehurazi në tokën ruse dhe do të vazhdojë të veprojë në përputhje me interesat e saj të sigurisë kombëtare.
Gjithashtu thuhet se nëse Londra e përshkallëzon situatën, Rusia do të përgjigjet në përputhje me rrethanat.
Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) tha se Gareth Samuel Davies, anëtar i stafit të ambasadës i lindur në vitin 1980, u identifikua si punonjës i inteligjencës britanike dhe se ky informacion nuk iu komunikua palës ruse.

