Një i vra’rë dhe 3 të plagosur në sulmet e reja izraelite në Gaza
Një palestinez u vra dhe 3 të tjerë u plagosën në një seri sulmesh izraelite sot në Rripin e Gazës, në një shkelje të re të marrëveshjes së armëpushimit të vitit të kaluar, thanë burimet mjekësore, raporton Anadolu.
Burimet thanë se Hatem Abu Saleh, një infermier në spitalin “Nasser”, u vra kur një sulm izraelit e shënjestroi atë pranë zonave nën kontrollin ushtarak në Bani Suheila, në lindje të qytetit Khan Younis në Gazën jugore.
Dy palestinezë, përfshirë një fëmijë, u plagosën gjithashtu në një sulm me dron në Khan Younis, thanë burimet. Një person i tretë u plagos nga zjarri izraelit në lagjen Zeitoun të Gazës. Sulmet ndodhën në zona nga të cilat forcat izraelite ishin tërhequr sipas armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, sipas gazetarit të Anadolu-s.
Artileria izraelite shënjestruan zonat veriore të kampit të refugjatëve Bureij në Gazën qendrore gjatë orëve të para të mëngjesit. Sulmet erdhën disa orë pasi ushtria izraelite vrau dy palestinezë në atë që e përshkroi si një shkëmbim zjarri në Rafah në Gazën jugore.
Palestinezët e kanë akuzuar Izraelin për shkelje të përsëritur të armëpushimit që ndaloi luftën brutale të Izraelit, e cila ka vrarë mbi 71.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë që nga tetori i vitit 2023.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gati 450 palestinezë janë vrarë dhe mbi 1.200 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga armëpushimi.
Izraeli ka refuzuar të rihapë kalimet kufitare të Gazës, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratuar në nëntor 2025, e cila bënte thirrje për armëpushim të përhershëm dhe gjithëpërfshirës në enklavë, shpërndarje të papenguar të ndihmës humanitare dhe rindërtim të enklavës.

