Trump: NATO do të ishte shumë më e fuqishme dhe efektive me Grenlandën në duart e SHBA-së
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se NATO do të ishte “shumë më e fuqishme dhe efektive me Grenlandën në duart e SHBA-së”.
“SHBA-të duhet të flasin hapur për Grenlandën dhe sigurinë kombëtare. Është jetike për Kupolën e Artë që po ndërtojmë”, tha Trump në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social.
Trump tha se nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e marrin Grenlandën, Rusia ose Kina do ta marrin atë dhe se NATO “duhet të udhëheqë rrugën që ta marrim atë”.
NATO nuk do të ishte një forcë ose pengesë efektive pa fuqinë “e madhe” ushtarake të SHBA-së, tha presidenti amerikan.
“Çdo gjë më pak se kjo është e papranueshme”, shtoi ai.
Grenlanda, një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës, ka tërhequr interesin e SHBA-së për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe burimeve të mëdha minerale.
Danimarka dhe Grenlanda kanë refuzuar propozimet për të shitur territorin, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.
Të martën, ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, konfirmoi planet për një prani ushtarake më të fortë dhe më të përhershme në Grenlandë.
Sipas transmetuesit danez DR, të mërkurën Danimarka ka filluar vendosjen e pajisjeve ushtarake dhe trupave për të forcuar infrastrukturën e forcave daneze dhe aleate në ishull.

