Mediat e huaja: I dërguari i Trump zhvilloi takim sekret me ish-princin e Iranit, Reza Pahlavi
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, zhvilloi një takim sekret me ish-princin e kurorës së Iranit në mërgim, Reza Pahlavi, për të diskutuar protestat që po zhvillohen në Iran, siç kanë raportuar sonte mediat e huaja.
Ky ishte takimi i parë i nivelit të lartë midis opozitës iraniane dhe administratës Trump që nga fillimi i protestave 15 ditë më parë. Pahlavi po përpiqet të pozicionohet për të marrë rolin e një udhëheqësi “kalimtar” nëse bie regjimi.
Pahlavi, djali i shahut që u rrëzua nga froni gjatë Revolucionit Islamik të vitit 1979, udhëheq një fraksion opozitar nga mërgimi në SHBA. Gjatë dy javëve të fundit, Pahlavi është shfaqur në rrjetet televizive amerikane duke i bërë thirrje administratës Trump të ndërhyjë në mbështetje të protestave.
Protestat në Iran vazhduan edhe këtë të martë në qytete anembanë vendit. Vlerësimet e numrit të të vdekurve janë rritur në mënyrë dramatike. Izraeli ndau një vlerësim me SHBA-në se të paktën 5,000 protestues ishin vrarë gjatë protestave./CNA

