Krijimi i imazheve të seksualizuara me inteligjencë artificiale do të bëhet vepër penale në Britani
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do ta prezantojë këtë javë si vepër të re penale krijimin e imazheve intime pa pëlqim, tha të hënën Sekretarja e Teknologjisë, Liz Kendall, në një kohë kur shqetësimet mbi imazhet e manipuluara me AI (deepfake) po shtohen, transmeton Anadolu.
Ky hap vjen pas një hetimi mbi veglën AI Grok të kompanisë X, pronë e miliarderit amerikan Elon Musk, e cila është përdorur për të gjeneruar imazhe seksuale të njerëzve pa pëlqimin e tyre.
Sipas ligjit britanik, X tani do të jetë i detyruar të heqë përmbajtjet “deepfake”, ndërsa Kendall i përshkroi imazhet e seksualizuara të krijuara nga Grok si “armë abuzimi”.
“Nën Ligjin për Sigurinë Onlajn, shpërndarja e imazheve intime pa pëlqimin e dikujt ose kërcënimi për t’i shpërndarë ato, përfshirë imazhe të njerëzve me të brendshme, është vepër penale për individët dhe për platformat”, u tha Kendall deputetëve.
“Ligji për të Dhënat, i miratuar vitin e kaluar, e bëri vepër penale krijimin ose kërkimin për krijimin e imazheve intime pa pëlqimin e personit. Sot mund të njoftoj Dhomën se kjo vepër do të hyjë në fuqi këtë javë dhe se do të bëhet vepër prioriteti edhe në Ligjin për Sigurinë Onlajn”, shtoi ajo.
Kendall tha se imazhet e seksualizuara “deepfake” që qarkullojnë në X janë “të neveritshme” dhe të paligjshme.
“Në ditët e fundit, mjeti AI Grok në platformën sociale X është përdorur për të krijuar dhe shpërndarë imazhe ‘deepfake’ degraduese, seksuale dhe intime pa pëlqim. Përmbajtja që ka qarkulluar në X është e neveritshme. Nuk është vetëm fyerje për shoqërinë e ndershme. Është e paligjshme”, shtoi ajo.
Rregullatori britanik për sigurinë onlajn, Ofcom, hapi sot një hetim formal mbi kompaninë e medias sociale X të miliarderit Elon Musk, për shqetësimet se Grok po përdoret për të krijuar imazhe seksuale.
Mbikëqyrësi do të shqyrtojë nëse X ka dështuar të përmbushë disa detyrime kyç sipas Ligjit për Sigurinë Onlajn. Këto përfshijnë nëse platforma ka vlerësuar si duhet rrezikun që përdoruesit britanikë të hasin përmbajtje të paligjshme dhe nëse ka kryer vlerësime të përditësuara të rrezikut para se të bëjë ndryshime të rëndësishme në shërbimin e saj.

