24 civilë të vrarë dhe 129 të plagosur në sulmet e SDF-së në Halep të Sirisë

24 civilë të vrarë dhe 129 të plagosur në sulmet e SDF-së në Halep të Sirisë

Autoritetet shëndetësore siriane kanë bërë të ditur se të paktën 24 civilë janë vrarë dhe 129 të tjerë janë plagosur në sulmet e organizatës terroriste YPG/SDF në lagjet e banimit në qytetin verior Halep, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë siriale të lajmeve SANA, Munir al-Mohammad, shefi për media në Drejtorinë e Shëndetit të Halepit, tha se viktimat u shkaktuan nga sulme të përsëritura që shënjestronin zonat civile.

Në përgjigje të sulmeve nga grupi terrorist, Ushtria Siriane të enjten nisi një operacion ushtarak “të kufizuar”, duke rimarrë kontrollin e lagjeve të shënjestruara dhe duke lejuar anëtarët e armatosur të SDF-së të tërhiqen drejt Sirisë verilindore, ku grupi mban praninë e tij kryesore.

Zyrtarët ushtarak sirianë thanë se SDF-ja përshkallëzoi sulmet e saj duke përdorur më shumë se 10 dronë kundër Halepit dhe institucionet e saj civile, duke shënuar atë që ushtria e përshkroi si një fazë të re përshkallëzimi ushtarak.

Dje, Ushtria Siriane tha se kishte ndaluar të gjitha operacionet ushtarake në lagjen Sheikh Maqsoud në Halep që nga ora 15:00 me kohën lokale.

Në mars të vitit 2025, presidenca siriane njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për integrimin e SDF-së në institucionet shtetërore, duke riafirmuar unitetin territorial të vendit dhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ndarje.

Në prill të vitit 2025, autoritetet siriane nënshkruan një marrëveshje me SDF-në në lidhje me lagjet Sheikh Maqsoud dhe Ashrafieh, duke përcaktuar që të dy qarqet do të konsideroheshin pjesë administrative të qytetit të Halepit, duke respektuar veçoritë e tyre lokale.

Marrëveshja gjithashtu përfshinte dispozita për të ndaluar manifestimet e armatosura, për të kufizuar armët vetëm për forcat e sigurisë së brendshme dhe për të kërkuar tërheqjen e forcave ushtarake të SDF-së në zonat në lindje të lumit Eufrat në Sirinë verilindore.

Por autoritetet thanë se në muajt që kanë kaluar, SDF-ja nuk ka treguar asnjë përpjekje për të përmbushur kushtet e marrëveshjes.

Qeveria siriane ka intensifikuar përpjekjet për të ruajtur sigurinë në të gjithë vendin që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024, pas 24 vitesh në pushtet.

MARKETING