Shkup, mbahet panel mbi praninë e gjuhës turke në Ballkan
Sot në Shkup u mbajt paneli “Prania e gjuhës dhe kulturës turke në Ballkan”, në kuadër të aktiviteteve për 21 Dhjetorin – Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu.
Aktiviteti u organizua nga Lidhja e Shoqatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATUSITEB) me mbështetjen e TIKA-s, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve ishin Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe të ftuar të shumtë.
Ambasadori Ulusoy theksoi se komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut ka bërë sakrifica të mëdha për ruajtjen e gjuhës turke, duke vënë në pah rolin e intelektualëve dhe gazetarëve, si dhe kontributin historik të gazetës “Birlik” dhe të lëvizjes “Juxhel”.
Kryetari i TIKA-s, Eren, tha se deri më sot në Maqedoninë e Veriut janë realizuar mbi 1.300 projekte, më shumë se 450 prej tyre në fushën e arsimit, duke theksuar rëndësinë e gjuhës dhe letërsisë në ruajtjen e kulturës.
Kryetari i MATUSITEB-it, Tahsin Ibrahim, theksoi se gjuha turke është lidhje e fortë që u ka dhënë identitet në Ballkan dhe i ka bashkuar.
Në panel, ekspertë të fushës së historisë, kulturës dhe gjuhësisë ndanë vlerësimet e tyre mbi rolin e turqishtes në Ballkan.

