Putin lidhur me propozimet e BE-së për përdorimin e aseteve ruse: Nuk po ia dalin ta kryejnë këtë grabitje

Putin lidhur me propozimet e BE-së për përdorimin e aseteve ruse: Nuk po ia dalin ta kryejnë këtë grabitje

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të premten se BE-ja “nuk po arrin të kryejë” shpronësimin e aseteve të ngrira ruse, transmeton Anadolu.

Në një konferencë vjetore për shtyp në Moskë, Putin komentoi diskutimet rreth shpronësimit të aseteve të ngrira ruse në BE. Ai tha se kjo përpjekje po dështon për shkak të pasojave të rënda me të cilat do të përballeshin vetë autorët, duke argumentuar se “vjedhja” është një përkufizim i papërshtatshëm për atë që po përpiqet të bëjë BE-ja.

“Vjedhja është një përvetësim sekret, ndërsa ata po përpiqen ta bëjnë hapur. Është grabitje”, deklaroi ai.

Putin paralajmëroi se veprime të tilla janë të mbushura me “pasoja të tmerrshme për grabitësit”. “Nuk është vetëm një goditje për imazhin, por po dëmton edhe besimin global”, tha Putin.

Mjafton të bësh hapin e parë dhe më pas mund të zgjerohet në shtete të tjera me pretekste të ndryshme, tha ai.

Si shembull, ai përmendi kornizat ligjore në disa vende myslimane, ku miratohen ligje të rrepta për të mbrojtur vlerat tradicionale, duke vënë në dukje se BE-ja mund të ketë disa probleme me to.

“Thjesht duhet të fillosh ta bësh, dhe pastaj mund ta bësh me pretekste të ndryshme. Për shembull, dikujt mund të mos i pëlqejnë ligjet në disa vende myslimane, të cilat kanë ligje të rrepta për të mbrojtur vlerat e tyre tradicionale”, vuri në dukje ai.

Putin theksoi se Rusia nga ana e saj, do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj kryesisht në gjykata dhe do të gjejë një juridiksion që do të jetë i pavarur.

MARKETING