Lukashenko: Bjellorusia pranë marrëveshjes për rivendosjen e marrëdhënieve me SHBA-në

Lukashenko: Bjellorusia pranë marrëveshjes për rivendosjen e marrëdhënieve me SHBA-në

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, deklaroi sot se vendi i tij është pranë një marrëveshjeje të rëndësishme për rivendosjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por theksoi se kjo nuk do të ndikojë në lidhjet e ngushta me Rusinë.

Deklarata u bë vetëm pak ditë pas lirimit të një numri të madh të të burgosurve politikë, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve amerikane. Lukashenko tha se përmirësimi i marrëdhënieve me Uashingtonin mund të çojë edhe në një takim të drejtpërdrejtë me presidentin amerikan, Donald Trump.

“Gjithçka po shkon drejt një marrëveshjeje të madhe dhe drejt një takimi mes meje dhe Trumpit”, u shpreh ai.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Lukashenko ka dhënë sugjerime për përfundimin e luftës në Ukrainë, ndërsa Uashingtoni shpreson gjithashtu ta distancojë pjesërisht atë nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Megjithatë, opozita bjelloruse në mërgim e cilëson këtë përpjekje si të kotë, duke argumentuar se Lukashenko varet politikisht dhe ekonomikisht nga Moska.

Presidenti bjellorus konfirmoi se palët po diskutojnë rihapjen e ambasadës amerikane në Minsk, e cila u mbyll pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Ai siguroi se afrimi me SHBA-në nuk do të bëhet në dëm të asnjë vendi tjetër dhe se marrëdhëniet strategjike me Rusinë do të vazhdojnë.

“Që nga viti 1994 kemi ndjekur një politikë të lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe, për sa kohë të jem president, kjo nuk do të ndryshojë”, tha ai.

MARKETING