Kryeministri australian premton ligje më të ashpra për gjuhën e urrejtjes pas sulmit në Bondi Beach
Kryeministri australian Anthony Albanese njoftoi sot se do të zbatohen ligje më të ashpra kundër gjuhës së urrejtjes, pas sulmit me armë zjarri në plazhin Bondi (Bondi Beach) që la të vdekur 15 persona, transmeton Anadolu.
Albanese shpalli një listë ndryshimesh ligjore pas një mbledhjeje të Komitetit të Sigurisë Kombëtare, sipas transmetuesit publik të Australisë.
“Qeveritë nuk janë perfekte, unë nuk jam perfekt”, u tha ai gazetarëve në Kanberra.
“Kam bërë më të mirën për t’u përgjigjur”, shtoi ai.
“Çdo kush në këtë pozitë do të pendohej që nuk ka bërë më shumë dhe për çdo mangësi që ekziston”, tha Albanese duke theksuar se “ajo që duhet të bëjmë është të ecim përpara”.
Ndryshimet përfshijnë kategorizim të ri të veprave penale në nivel federal për “vepra të rënda të gjuhës së urrejtjes për predikues dhe udhëheqës që nxisin dhunë”, si dhe rritje të dënimeve për “gjuhë urrejtjeje që promovon dhunën”.
Masa të tjera përfshijnë “trajtimin e urrejtjes si rrethanë rënduese në dënimin e krimeve për kërcënime dhe ngacmime onlajn”, krijimin e një mekanizmi për listimin e organizatave “udhëheqësit e të cilave angazhohen në gjuhë urrejtjeje që nxit dhunë ose urrejtje racore”, si dhe masa për “fyerje të rënda të bazuara në racë dhe/ose propagandim të supremacisë racore”.
Ministri i Brendshëm do të ketë gjithashtu kompetenca të reja për të anuluar ose refuzuar viza ndërsa një grup pune 12-mujor do të ketë më shumë mbikëqyrje mbi sistemin arsimor.
Viktimat u vranë të dielën kur dy persona hapën zjarr përgjatë plazhit në Sidnej. Njëri nga dy autorët e dyshuar u qëllua për vdekje ndërsa tjetri pësoi lëndime kritike dhe po trajtohet në spital.

