Gazetaria copy–paste vazhdon të jetë e pranishme në mediat online të RMV-së, tregoi monitorimi i KEMM

Gazetaria copy–paste vazhdon të jetë e pranishme në mediat online të RMV-së, tregoi monitorimi i KEMM

Këshilli për Etikë në Media të Maqedonisë sot publikoi gjetjet e monitorimit të raportimit të mediave online gjatë Zgjedhjeve Lokale 2025 në vend, i cili zbulon se:
Më shumë se dy të tretat e mediave të analizuara janë në pronësi private të gazetarëve, ndërsa redaksitë e vogla shpesh punojnë me resurse të kufizuara, gjë që rezulton me lajme të shkurtra, përpunim minimal të informacionit dhe mbështetje në përmbajtje të marra nga portale të tjera ose nga rrjetet sociale. Ata shtojnë se gazetaria copy–paste vazhdon të jetë e pranishme, ashtu si edhe përdorimi i shpeshtë i postimeve nga rrjetet sociale. Megjithatë, transparenca e burimeve të informacionit dhe e strukturës së mediave është në përmirësim, raporton SHENJA.

Monitorimi zbuloi edhe se:

• Transparenca e strukturës është përmirësuar ndjeshëm. Plot 85,7% e mediave kanë impressum të kompletuar me të gjitha të dhënat e nevojshme. Ato media që nuk e kanë të qartë pronësinë dhe ekipin, më shpesh shfaqin probleme me respektimin e standardeve etike.
• Burimet e informacionit janë cituar siç duhet në 83,7% të rasteve. Megjithatë, në 14% të përmbajtjeve të monitoruara vërehen citime të pjesshme ose të paqarta (“siç mësojmë”, “sipas burimeve tona”), gjë që e ul besueshmërinë, sidomos në kontekst elektoral.
• Sensacionalizmi ekziston, zakonisht në formë të lehtë. Vetëm rreth 2% e teksteve konsiderohen plotësisht sensacionaliste, por gjithsej 13,6% e tyre përmbajnë elemente të tilla, kryesisht në tituj.
• Parimi i prezumimit të pafajësisë përgjithësisht respektohet. Shkelje janë vërejtur vetëm në 1,4% të përmbajtjeve të monitoruara, por secila prej tyre ka peshë serioze, pasi mund të ndikojë në reputacionin e personave publikë dhe procesin zgjedhor.
• Diskriminimi implicit është më i pranishëm sesa gjuha e hapur e urrejtjes, e cila pothuajse mungon në përmbajtjet mediatike (0,2%). Megjithatë, për 2,3% të teksteve është konstatuar diskriminim i fshehtë përmes stereotipeve ose kornizimit negativ.
• Plagjiatura mbetet problemi më i madh sistemik. Mbi 22% e teksteve janë të kopjuara plotësisht ose pjesërisht nga portale të tjera. Vetëm 16,8% e tyre janë përmbajtje origjinale gazetareske. Kjo tregon për mungesë kronike të burimeve redaksionale dhe dobësi në gazetarinë profesionale.
• Gjatë zgjedhjeve lokale është vërejtur mbështetje e theksuar në postimet e rrjeteve sociale. Plot 25,7% e teksteve mbështeten plotësisht ose pjesërisht në Facebook, Instagram, X ose platforma të tjera, shpesh pa verifikim të duhur, çka paraqet rrezik të lartë për dezinformim.

Në përgjithësi, monitorimi i raportimit të 30 mediave online, shumica prej tyre anëtare të regjistrit Promedia.mk, tregon se ekziston progres i dukshëm në transparencë dhe në disa praktika profesionale, por edhe se sektori online vazhdon të përballet me dobësi strukturore: burime të kufizuara dhe redaksi të vogla, informacion të pamjaftueshëm të verifikuar, praktikë të theksuar copy–paste dhe ndjeshmëri ndaj ndikimeve politike e biznesore.

Për të arritur cilësi më të lartë në gazetari, kërkohet një qasje sistemike, e koordinuar ndërmjet mediave, organeve të vetërregullimit, sektorit civil dhe institucioneve.
Ky monitorim është realizuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore”, i mbështetur nga UNESCO dhe i financuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim forcimin e rolit të vetërregullimit medial dhe të Këshillit për Etikë në Media si faktor i pavarur dhe relevant në avancimin e etikës dhe standardeve profesionale në media në vend.

MARKETING