Izraeli në Eurovizion 2026, disa vende bojkotojnë konkursin e këngës

Izraeli në Eurovizion 2026, disa vende bojkotojnë konkursin e këngës

Konfirmimi i së enjtes për pjesëmarrjen e Izraelit në Konkursin e Këngës Eurovizion 2026 shkaktoi reagim të menjëhershëm, me disa transmetues kombëtarë që njoftuan tërheqjen e tyre nga garimi, transmeton Anadolu.

Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) në Gjenevë, shumica e anëtarëve votuan për të lejuar transmetuesin izraelit KAN të garojë në konkursin e vitit të ardhshëm, i cili do të mbahet në Vjenë të Austrisë.

Pas vendimit, Spanja njoftoi se nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin 2026 dhe as nuk do ta transmetojë konkursin, duke dhënë së arsye ndërhyrje politike dhe përdorimin nga Izraeli të garës për “qëllime politike”.

“Situata në Gaza, pavarësisht armëpushimit dhe miratimit të procesit të paqes, dhe përdorimi i konkursit nga Izraeli për qëllime politike, po e bën gjithnjë e më të vështirë mbajtjen e Eurovizionit si një ngjarje neutrale kulturore”, tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i RTVE-së, Alfonso Morales.

Transmetuesi holandez AVROTROS po ashtu konfirmoi tërheqjen e tij, duke shpjeguar se pjesëmarrja e Izraelit, së bashku me situatën humanitare në Gaza dhe kufizimet e lirisë së shtypit, janë në kundërshtim me vlerat themelore të organizatës.

RTE-ja e Irlandës gjithashtu deklaroi se nuk do të marrë pjesë ose të transmetojë konkursin, duke e cilësuar krizën humanitare në Gaza dhe sulmet e synuara ndaj gazetarëve si të papajtueshme me parimet e transmetuesit.

“RTE-ja mendon se pjesëmarrja e Irlandës mbetet e papranueshme duke pasur parasysh humbjen e tmerrshme të jetëve në Gaza dhe krizën humanitare atje, e cila vazhdon të rrezikojë jetët e shumë civilëve”, thuhet në deklaratë.

RTV-ja e Sllovenisë gjithashtu nuk do të marrë pjesë në konkurs, sipas kryetares Natalija Gorscak. “Mesazhi ynë është: nuk do të marrim pjesë në ESC nëse Izraeli është aty. Në emër të 20.000 fëmijëve që vdiqën në Gaza”, tha ajo.

Transmetuesi flamen VRT në Belgjikë njoftoi se do ta transmetojë Eurovizionin 2026, ndërsa RTBF-ja frankofone e Belgjikës, e cila do të dërgojë konkurrent këtë vit, ende nuk ka bërë të ditur qëndrimin e saj.

Bordi i drejtorëve të RUV-së, transmetuesi kombëtar i Islandës, tha se do të diskutojë nëse do të marrë pjesë në Eurovizion duke pasur parasysh përfshirjen e Izraelit.

MARKETING