(VIDEO) Selimi: Qeveria po vuan nga “sindromi i pozitës”, Iseni: VLEN e ka kaluar testin e legjitimitetit
Në emisionin “Debat në Shenja”, zhvillimet e fundit politike në vend kanë qenë në qendër të analizës. Pas zgjedhjeve lokale, çështja e rikonstruimit të qeverisë është rikthyer si një nga temat kryesore, duke hapur dilema nëse një reformulim i kabinetit do të sjellë stabilizim apo tension brenda koalicionit qeveritar. Në fokus ka qenë edhe kongresi i paralajmëruar i BDI-së, ku kjo parti synon reforma të thella për të rikonfirmuar pozicionin e saj politik.
Analisti Sefer Selimi mendon se një pjesë e figurave në BDI të cilët kanë treguar rezultat në të kaluarën duhet të vazhdojnë dhe të veprojnë ende, ndërsa shton se liderët e VLEN-it janë burim i përçarjeve prandaj shkrirja është e vështirë. Selimi për këtë qeveri thotë se po i ndjek sindromi i pozitës.
Sefer Selimi, Analisti politik
“Këtë qeveri ashtu siç edhe qeveritë e tjera është duke i ndjekur do të thoja unë një sindrom i pozitës. Zakonisht të gjitha qeveritë mundohen që njerëzit tu gjejnë ministri, pushtet, pozita dhe jo pozitave ministrive, insitucioneve njerëzit e duhur dhe adekuat. \ Zoti Mickoski sidomos në raport me partnerin shqipëtar i mori në qeveri si humbës dhe tani i instaloi si fitues në pushtetin lokal dhe ata detyrimisht do të duhet të jenë shumë më amortizues ndaj çdo veprimi”.
Ndërkaq, analisti politik Xhenur Iseni vlerëson se nuk ka asgjë të kontestueshme në koalicionimet e partive shqiptare me ato maqedonase për zgjedhjet lokale. Ai vlerëson se VLEN tani, por edhe BDI më parë dhe PDSH kanë bërë koalicione me partitë maqedonase. Ndërsa për VLEN tha se tashmë e ka kaluar testin e legjitimitetit.
Xhenur Iseni, Analist Politik
“Shumë e vërtetë është sepse VLEN e ka pasur barën e legjitimitetit në të kalumen mbi supe që disi e ka pasur karshi Mickoskit dhe tani nuk e ka, unë pres një VLEN pak shumë më ndryshe sepse shumë eksponent të AKI-së në zgjedhje lokale kanë thënë që test legjitimitetit tek shqipëtarët do të jetë Çairi dhe Tetova dhe këtë test pa pikë dyshimi e kanë kalu VLEN dhe duke u bazu në këtë narativë VLEN e ka kaluar testin e legjitimitetit”.
Tutje Iseni ka deklaruar se BDI-së në kongresin e ardhshëm i nevojiten reforma të thella dhe se për dallim nga e kaluara kur reformat janë bërë sa për të thënë se kanë bërë, ajo e ka justifikuar veten me fitoret, por se tani këtë komoditet nuk e ka.
Anida Murati /SHENJA/

