(VIDEO) Rritet çmimi i vezëve, qytetarët të shqetësuar: çdo ditë po bëhet më keq
Vezët – një prej produkteve bazike në çdo familje – tashmë kushtojnë pothuajse dyfish krahasuar me disa javë më parë. Nëpër dyqane e tregje, qytetarët shprehen të shqetësuar dhe të zhgënjyer: thonë se rritjet janë të pashpjegueshme, uljet duken të pamundura, dhe besimi në institucionet shtetërore për ndërmarrjen e masave po zbehet dita–ditës. Ndërsa qeveria premton stabilizim, realiteti në treg duket krejt tjetër dhe kjo dita ditës sa vje e bëhet më e dukshme.
Qytetare
“Çmimet nuk janë edhe aq por diku diku kanë hipur nëpër artikuj, psh vezët kanë hypur, specat kanë hipur pak diku diku. Ndoshta mendoj që do ritet ende më shumë se për të rënë jo. Jo nuk duket e mirë por ç’farë të bëjmë ai që ka nevojë patjetër ta blejë edhe 400 den po të bëjë kur ti duhet patjetër ta blejë”.
Po ashtu rastisëm edhe një shtetas nga Kosova, i cili tha se edhe atje çmimet janë më të larta se në RMV, por edhe këtu rritja është “e hatashme”. Sipas tij, trendi i shtrenjtimit pritet vetëm të vazhdojë dhe nuk ka shpresa se institucionet do të ndërhyjnë.
Qytetar
“Unë vij prej Prishtinës dhe sigurisht vezët qenkan përafërsisht vetëm tek ne shumë më lart çmimet. Po e shoh edhe çmimi i pemëve edhe çmimet tjera shumë më ulët se në Prishtinë. Për xhepin tonë jo, me thënë të drejtën për rrogat që i kemi ne jo. Sigurisht, sepse nuk po kanë kontrollë si në Maqedoni si në Prishtinë spo kanë kontrollë kurfare, kurfare prej Qeverisë, po duhet mu rregullu nga Qeveria. Inshaallah marin se nuk presim azgjë tash prej tyre, inshaallah ndërmarin”.
Një tjetër qytetar këto rritje i cilëson jo normale dhe katastrofë duke shtuar se po ashtu nuk ka besim në institucionet për të ndërmarë masa.
Qytetar
“Kjo është punë jo normale. Ç’do ditë rriten çmimet, kjo është katastrofë, nuk kam çfarë të them, vetëm bëhet keq e më keq. Rëndë, rëndë, pasi deri tash nuk kanë marrë asnjë masë, nuk besoj, nuk kam besim aspak”.
Ndërsa qytetarët përballen me çmime çdo ditë e më të larta, zinxhiri i shtrenjtimit duket se fillon që nga fermerët, të cilët—të goditur nga kosto më të larta të ushqimit për kafshët, energjisë dhe transportit—po i shesin produktet e tyre më shtrenjtë. Kjo çon në një rritje që shtohet në çdo hallkë deri te raftet e marketeve dhe tregut. Ndërkohë, realiteti i përditshëm për shumicën është i njëjtë: shporta e blerjeve gjithnjë e më e varfër, çmimet gjithnjë e më të larta, dhe besimi tek autoritetet gjithnjë më i ulët.
Edhe pse institucionet premtojnë se po e monitorojnë situatën, realiteti në treg tregon një tablo tjetër. Pakënaqësia është e madhe, besimi është i ulët, dhe pyetja që mbetet enigmë është se a do të stabilizohet tregu, apo familjet do të vazhdojnë të përballen me një ritëm të pashpjegueshëm të shtrenjtimit?
Anida Murati /SHENJA/

