(VIDEO) Rritet për 27,7 % numri i divorceve, ulet numri i martesave

(VIDEO) Rritet për 27,7 % numri i divorceve, ulet numri i martesave

Enti Shtetëror i Statistikave regjistroi më pak martesa të lidhura dhe më shumë divorce në tremujorin e tretë të këtij viti, pra në periudhën korrik-shtator. Në këtë periudhë, sipas të dhënave të ESHS-së, janë lidhur 3.514 martesa, që është ulje prej 2,8 për qind krahasuar me numrin e martesave në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga korriku deri në shtator të këtij viti janë regjistruar edhe 470 divorce, që është rritje prej 27,7 për qind krahasuar me numrin e divorceve në këtë periudhë vitin e kaluar.

Në korrik të këtij viti, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria po mendon seriozisht të fusë takse shtesë për qytetarët e pamartuar në vend. Ai këtë e tha në kontekst të sfidave demografike me të cilat përballet vendi dhe natalitetit të ulët që nga viti në vit po zvogëlohet.

Në këtë njoftim reagoi ashpër opozita LSDM, por edhe Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, prej nga u tha se martesa duhet të jetë zgjedhje dhe jo detyrim tatimor për qytetarët.

Disa ditë më vonë Mickoski deklaroi se nuk do të futet taksë për qytetarët e pamartuar. Ai sqaroi se deklarata e tij e mëparshme kishte për qëllim nxitjen e debatit publik për, siç tha, recesionin demografik tejet shqetësues dhe për uljen e numrit të martesave në vend.

Enti ka publikuar edhe statistikat e vdekjeve dhe lindjeve në RMV. Në tremujorin e tretë të vitit 2025, numri i lindjeve të gjalla është 4 431 fëmijë dhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje për 3.7%.

Në kohën kur në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 4 431 lindje, janë regjistruar edhe 4 849 vdekje. Shtimi natyror sërish është negativ dhe është, minus 418, që do të thotë, se për 418 persona është ulur numri i popullsisë. /SHENJA/

 

MARKETING