(VIDEO) LSDM kërkon llogari për ekstradimin e Gruevskit
Ndonëse fizikisht nuk është në vend, emri i ish kryeministrit të arratisur, Nikolla Gruevski është pjesë e çdo debati dhe gjithnjë arsye për përplasje mes pushtetit dhe opozitës. I tillë rasti ishte edhe sot në Kuvend, deputeti i LSDM-së Mile Taleski ka akuzar kryministrin Mickoski për adhurim të figurës së ish kryeministrit. Për më tepër, ai ka akuzuar edhe ministra aktual se takohen çdo dy javë me Gruevskin në Hungari.
Ka kërkuar përgjigje nga Ministri i Drejtësisë nëse është ripërsëritur kërkesën për ekstradim të Gruevskit nga Hungaria.
MILE TALESKI, LIDHJA SOCIAL DEMOKRATE
“Ju jap shansin që para gjithë opinionit këtu nga Kuvendi të tregoni, po ju paralajmëroj të përgjigjeni drejtë dhe saktë. A ka kërkuar Ministria e Drejtësisë ekstradim të ish kryeministrit të ikur, Nikolla Gruevski. Nëse nuk e keni bërë deri më tani, pse nuk e keni bërë. Nëse po, kur është dërguar kërkesa për ekstradim dhe deri tek cili institucion në Hungari”.
Duke ju përgjigjur Talevskit, Ministri i Drejtësisë Igor Fillkov deklaroi se drejësia është duke i kërkuar të gjithë që janë fajtor dhe kanë ikur.
IGOR FILLKOV, MINISTËR I DREJTËSISË
“Ministria e Drejtësisë nuk ka asgjë të përbashkët me ministrinë që e kishit ju në kohën tuaj, kur së bashku me Artan Grubin dhe Ali Ahmetin merreshit vesh, se kush ku do të ikë. Kjo ministri është në kërkim të të gjithë atyre që kanë ikur. Por, sa unë ju dëgjova, ju flisnit për azilant politik që nënkupton se saherë që krijohen kushtet, gjithmonë Ministria e Drejtësisë do ti kërkojë qytetarët e saj”.
Kjo nuk është hera e parë që oponentët politik përplasen për ikjen e Gruevskit, Grubit dhe të tjerëve që janë në kërkim dhe kanë flet-arrest ndërkombëtar. Për më tepër, LSDM dhe VMRO në të shumtën e rasteve janë përplasur edhe për organizim të ikjes së personave të lartpërmendur.
Mevludin Imeri /SHENJA/

