Sondazh: Bie mbështetja për kancelarin gjerman, vetëm 23 për qind të kënaqur me punën e tij
Një sondazh i ri i publikuar sot ka zbuluar rritje të ndjeshme të pakënaqësisë me performancën e kancelarit gjerman Friedrich Merz që nga marrja e detyrës në maj, transmeton Anadolu.
Sondazhi, i kryer nga instituti kërkimor “Forsa” për televizionin RTL/NTV, zbuloi se 75 për qind e të anketuarve janë të pakënaqur me punën e Merzit si kancelar, ndërsa 23 për qind kanë shprehur miratim.
Pakënaqësia është veçanërisht e lartë në disa rajone dhe grupe. Në shtetet lindore, 78 për qind janë shprehur të pakënaqur me performancën e tij, ndërsa në Bavari shifra arritn 79 për qind. Mes personave të vetëpunësuar, pakënaqësia është 80 për qind.
Në rezultate janë vërejtur edhe ndarje politike. Edhe mes mbështetësve të partisë së Merzit, Bashkimi Kristian Demokrat (CDU), 40 për qind kanë thënë se janë të pakënaqur me punën e tij. Tek mbështetësit e partisë partnere në koalicion, Partisë Socialdemokrate (SPD), shifra është 70 për qind.
Sondazhi tregoi një ndryshim dramatik të opinionit publik që nga mesi i qershorit. Kënaqësia me punën e Merzit ka rënë me 20 pikë përqindjeje në 23 për qind, ndërsa pakënaqësia është rritur me 26 pikë, nga 49 për qind në 75 për qind.
Sondazhi gjithashtu mat mbështetjen ndaj partive nëntë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit. Partia e djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) kryeson me 26 për qind mbështetje, duke kaluar unionin CDU/CSU që ka 25 për qind.
Partneri i koalicionit, Socialdemokratët, kanë regjistruar 14 për qind mbështetje, ndërsa të Gjelbrit 12 për qind dhe Partia e Majtë 11 për qind.
Analistët e Forsa-s thanë në raportin e tyre se nën udhëheqjen e Merzit, aleanca konservatore CDU/CSU nuk po arrin të ndalojë rritjen e popullaritetit të AfD-së.
“Kjo pasqyron gabimin e rëndë të bërë nga Merz dhe rrethi i tij i ngushtë, duke i dhënë prioritet kaq të madh politikës së migracionit gjatë fushatës zgjedhore dhe kohës në qeveri”, thonë ekspertët.
“Po të kishin ndjekur një politikë ekonomike më të qëndrueshme që do të rriste besimin e publikut në zhvillimin ekonomik të Gjermanisë, mbështetja për AfD-në nuk do të ishte kaq e lartë sa është sot”, janë shprehur ata.

