Maqedonia e Veriut nënshkruan memorandum mirëkuptimi me Frontex-in
Maqedonia e Veriut dhe Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi mbi mekanizmat e ankesave në lidhje me aktivitet e kryera nga Frontex në Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu.
Siç njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e vendit, ceremonia zyrtare e nënshkrimit është zhvilluar në selinë e Frontex-it në Varshavë të Polonisë, me pjesëmarrjen e shefit të kabinetit të ministrit të brendshëm, Risto Stavrevski dhe këshilltari shtetëror në kabinetin e ministrit të Brendshëm, Vlladimir Vellkovski.
Memorandumi i mirëkuptimit mbi mekanizmat e ankesave u nënshkrua bazuar në marrëveshjen midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Maqedonisë së Veriut mbi aktivitetet operative të kryera nga Frontex-i në vend.
Partnerët e tjerë, respektivisht Mali i Zi dhe Serbia, gjithashtu nënshkruan memorandum mirëkuptimi. Sipas ministrisë maqedonase, nënshkrimi i këtij memorandumi mirëkuptimi konfirmon vullnetin e mirë për të thelluar bashkëpunimin e vendosur midis Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe Frontex-it.
“Qëllimi dhe fushëveprimi i këtij memorandumi mirëkuptimi është të sigurojë bashkëpunimin midis dy mekanizmave ekzistues të ankesave brenda kompetencave të tyre përkatëse për shkëmbimin e informacionit në lidhje me pretendimet për shkelje të të drejtave themelore gjatë të gjitha aktiviteteve operative të Frontex-it në territorin e Maqedonisë së Veriut”, tha ministria.
Në këtë aktivitet njëkohësisht u mbajt një takim i krerëve të policisë kufitare, në të cilin morën pjesë përfaqësues të Departamentit të Çështjeve Kufitare dhe Migracionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku u diskutuan përgjigjet operative ndaj sfidave aktuale të sigurisë në kufij.
Pjesëmarrësit konfirmuan angazhimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit në menaxhimin e kufijve, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë së përbashkët për kufij të sigurt dhe të mirë menaxhuar.

