(VIDEO) Rasti i Koçanit, prokuroria dhe mbrojtja përplasen rreth aktakuzës
Aktakuza e integruar siç e quajti prokuroria në seancën e parë për rastin gjyqësor për tragjedinë në Koçan, përplasi sot avokatët e të akuzuarëve me prokurorët. Mbrojtja këmbëngul se në këtë aktakuzë janë bërë shumë ndryshime nga ajo që ju ishte prezantuar në fillim dhe siç thonë ata bëhet fjalë për një aktakuzë krejtësisht të re, e të zgjeruar si dhe se në të thonë se ka shumë gabime, ngatërresa provash. Shumica e avokatëve mbrojtës u shprehën se ndryshimi në aktakuzë nga ana e prokurorisë është bërë në një fazë të procedurës në të cilën kjo nuk lejohet.
“U tha se lista e provave është zvogëluar. Por në fakt, ajo është zgjeruar nuk është shkurtuar, janë caktuar inspektorë, të punësuar në komunë, si dëshmitarë dhe ne këtë listë nuk e kemi”.
“Qindra materiale janë tërhequr dhe shumë të tjera janë shtuar, në përmbajtjen e të cilave mbrojtja nuk ka pasur qasje, megjithëse kjo është bërë para fillimit të seancës kryesore, kjo sigurisht është menduar nga prokurorja publike”.
“Totalisht aktakuzë e re, kohë, orë, mënyrë e kryerjes së veprës penale, janë tre themelet kryesore për faj potencial te të akuzuarit”. Kështu thanë disa prej avokatëve.
Nga prokuroria u përgjigjën se mbrojtja ka pasur kohë të mjaftueshme që nga muaji qershor të kenë qajse në prova dhe përsëriti se nuk bëhet fjalë për aktakuzë të re.
Borçe Janev, prokuror
“Prokuroria Publike konsideron se kjo nuk është aspak një aktakuzë e re, sepse nuk është shkelur as identiteti objektiv dhe as ai subjektiv i akuzave mbi të cilat është iniciuar procedura. Nuk ka mundësi për ndryshime teknike, por ndryshime të tilla nuk e ndryshojnë aktakuzën. Përshkrimi i elementeve thelbësore nuk është ndryshuar”.
Megjithatë, fjalën e fundit e tha gjykatësja. Diana Gruevska Ilievska deklaroi se nuk bëhet fjalë për aktakuzë të re.
Diana Gruevska Ilievska, gjykatëse
“Trupi gjyqësor vlerëson se nuk bëhet fjalë për aktakuzë të re sepse nuk ka veprime të reja, nuk ka të akuzuar të rinjë, nuk ka vend të ri, nuk ka të dëmtuar të rinjë dhe pasoja të reja. Nuk ndryshon gjendja faktike, as kualifikimi ligjor”.
Përfaqësuesit ligjorë të palëve të dëmtuara janë kyçur në përndjekjen penale për të akuzuarit dhe të drejtat e tyre do t’i realizojnë në Gjykatën Civile.
Në seancën e sotme ishte paraparë deklarimi i të akuzuarëve nëse ndjehen fajtor ose jo, mirëpo kjo nuk u bë përshkak se avokatët u ankuan se disa prej tyre ende nuk e kanë marrë aktakuzën dhe listën e provave dhe si rrjedhoj edhe fjalët hyrëse të mbrojtjes do të bëhen në seancat në vazhdim.
Prokurori Publik Borçe Janev në seancën e kaluar theksoi se “Nuk ka rëndësi kush e nisi zjarrin, ka rëndësi kush kishte një kovë me ujë dhe nuk e derdhi”. Sipas prokurorisë, klubi kishte vepruar ilegalisht për më shumë se një dekadë, me dritare të mbyllura, materiale toksike dhe një dalje të vetme evakuimi, ndërsa në mbrëmjen kritike u lejuan mbi 600 mysafirë, përfshirë edhe të mitur.
Seanca e radhës është planifikuar për 2 dhjetor.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

