Arbër Ademi: Raporti i KE-së zbulon krizën e tregut të brendshëm: Reformat kanë Ndaluar
Partia opozitare shqiptare, BDI shpreh shqetësim të thellë lidhur me vlerësimet e Komisionit Evropian në Raportin për vitin 2025, veçanërisht për Klasterin e Dytë- Tregu i Brendshëm.
Sipas nënkryetarit, Arbër Ademi, Raporti i Komisionit Evropian është i qartë, i drejtpërdrejtë dhe tepër alarmues. Ai tha se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparimin e nevojshëm në funksionimin e tregut të brendshëm dhe në harmonizimin me standardet evropiane, duke shtuar se kjo ka pasoja për secilin qytetar dhe për çdo biznes në vend.
ARBËR ADEMI, NËNKRYETAR I BDI-SË
“Komisioni Evropian vlerëson se pengesa të thella strukturore dhe mungesa e vendimmarrjes profesionale nga qeveria aktuale kanë ngadalësuar seriozisht përputhjen me acquis-in e Bashkimit Evropian. Ky klaster përfshin shtyllat kryesore të ekonomisë moderne: lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, konkurrencën, mbrojtjen e konsumatorit, pronësinë intelektuale dhe prokurimet publike. Dhe për secilën prej këtyre fushave, BE-ja ka vërejtje të rënda”.
Ademi tha se ndërhyrjet politike dhe subvencionet selektive vazhdojnë të deformojnë tregun, bizneset nuk operojnë në kushte të barabarta dhe se Qeveria nuk ka krijuar mekanizma funksionalë për të mbrojtur qytetarët nga praktikat e padrejta në treg.

