F1/ Verstappen rikthehet i frikshëm, gara për titull ‘ndizet’ pas dramës së McLaren-it
Max Verstappen siguroi fitoren e tij të gjashtë sezonale dhe të 69-tën në karrierë, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Las Vegasit dhe duke u rikthyer fuqishëm në garën për titull.
Suksesi i tij u ndikua edhe nga skualifikimi i të dyja makinave McLaren të Lando Norris dhe Oscar Piastrit, për shkak të parregullsive teknike në “plank”-un e makinës, i cili ishte nën kufirin minimal të lejuar prej nëntë milimetrash.
McLaren e pranoi menjëherë vendimin, duke mos bërë apel.
Me largimin e tyre nga renditja, Mercedesi përfitoi ndjeshëm: George Russell u ngjit në vendin e dytë, ndërsa Andrea Kimi Antonelli siguroi podiumin e tretë sezonal, duke mposhtur Charles Leclerc me vetëm një të dhjetën e sekondës, pavarësisht një penalizimi prej pesë sekondash për nisje të parakohshme.
Leclerc pati një garë agresive, shpesh në duele me Sainz-in dhe Piastri-n, por Ferrari SF-25 pësoi nga mungesa e shpejtësisë në vijat e gjata.
Lewis Hamilton, nisur nga vendi i fundit, arriti të përfundonte i teti, duke shfrytëzuar përplasjet e shkaktuara nga Gabriel Bortoleto në xhiron e parë.
Pozicione me pikë siguruan edhe Carlos Sainz me Williams, Isack Hadjar me Racing Bulls dhe Nico Hülkenberg me Sauber, ndërsa Haas me Ocon dhe Bearman mori përfitime të vlefshme nga skualifikimet e McLaren, duke shtuar tri pikë të rëndësishme.
Në renditjen e përgjithshme, dy gara para fundit, Verstappen barazon Piastrin me 366 pikë, ndërsa Norris kryeson me 390 pikë dhe mund të mbyllë garën për titull në Katar, nëse fiton një pikë më shumë se të dy rivalët.
Te konstruktorët, Mercedes-i afrohet me Red Bull-in për vendin e dytë, duke e çuar diferencën në 40 pikë, ndërsa Ferrari bie në vendin e katërt me 378 pikë.

