(VIDEO) Krerët e shtetit dhe të politikës urojnë Ditën e Alfabetit Shqip
Me rastin e 22 Nëntorit, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, krerët e shtetit dhe të politikës në Maqedoninë e Veriut kanë përcjellë urimet e tyre për këtë datë me peshë historike. Në mesazhet e tyre, ata theksuan rolin vendimtar të Kongresit të Manastirit dhe rëndësinë që kjo trashëgimi kulturore ka për shqiptarët dhe për mozaikun multietnik të vendit.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, uroi bashkëqytetarët shqiptarë, duke theksuar se këtë ditë e përshëndet me respekt të veçantë, si një simbol të fuqishëm të përpjekjes për arsimim dhe edukim.
Gordana Siljanovska-Davkova, Presidente
“Para 117 vjetësh, Alfabeti i unifikuar nisi rrugëtimin e tij nga Kongresi i Manastirit, si kodi më i rëndësishëm i komunikimit për një popull. Sot duhet të kujtojmë se gjuha dhe shkrimi janë vlera themelore që formojnë identitetin kolektiv dhe forcojnë lidhjen shpirtërore mes brezave”.
Kryeparlamentari, Afrim Gashi theksoi se kjo ditë shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë kombëtare, kur u vendosën themelet e alfabetit të unifikuar, duke forcuar gjuhën shqipe si simbol të bashkimit dhe identitetit.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Si Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetformues dhe ku gjuha është vlerë e garantuar kushtetuese, e cilësoj gjuhën shqipe një element të pazëvendësueshëm të kohezionit tonë shoqëror”.
Ndërkaq nuk munguan as urimet e partive politike, nga ku VLEN shprehet se kjo ditë është një nga ngjarjet më të mëdha kulturore, arsimore dhe kombëtare të historisë sonë.
VLEN
“Dita e Alfabetit është gur themeli i identitetit tonë kombëtar. Më 22 nëntor 1908, në Manastir, rilindasit shqiptarë vendosën jo vetëm rregullimin e alfabetit, por drejtimin strategjik të kombit shqiptar: ecjen krah për krah me popujt evropianë, forcimin e kulturës, arsimit dhe vetëdijes sonë kombëtare, si bazë për lirinë politike dhe zhvillimin shoqëror”.
Po ashtu edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar shqiptarët në vend, rajon dhe mërgatë me rastin e Ditës së Alfabetit dhe përvjetorit të Kongresit të Manastirit.
Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së
“Në këtë përvjetor të Kongresit të Manastirit dhe të Ditës së Alfabetit, ta përkujtojmë veten tonë që gjuha bashkon popullin dhe që përgjegjësia jonë për gjuhën tonë është e rëndësisë më të madhe. Lidhja e Prizrenit më 1878, Kongresi i Manastirit më 1908 dhe Dita e Flamurit më 1912 janë tre shtyllat qëndrore të kombit shqiptar”.
Urimet për këtë ditë ishin të shumta duke rikujtuar se Dita e Alfabetit mbetet një prej simboleve më të forta të identitetit dhe unitetit të shqiptarëve.
Anida Murati /SHENJA/

