Reshje të dendura shiu shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje dheu në disa komuna të vendit
Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njofton se reshjet e dendura të shiut deri në orën 08:00 të mëngjesit kanë shkaktuar përmbytje të shtëpive dhe sipërfaqeve bujqësore, si dhe rrëshqitje dheu në disa rajone të vendit.
Resnjë – mbi 50 shtëpi të përmbytura
Në Komunën e Resnjës ka pasur dalje nga shtrati e lumenjve Bollnska dhe Istoçka në fshatrat Carev Dvor dhe Drmeni, duke shkaktuar përmbytjen e mbi 50 shtëpive, depoziteve, bodrumeve dhe tokave bujqësore.
Në terren janë angazhuar ekipe të ndërmarrjeve publike dhe kompani private me 4 bagerë, 7 pompa uji dhe pajisje shtesë.
NP “Proleter” njofton për ujë me cilësi të dëmtuar, i cili përkohësisht nuk rekomandohet për konsum. U ndërhy me dy automjete dhe pesë zjarrfikës.
Manastir – ndërhyrje të shumta dhe ngritje argjinaturash
Komuna e Manastirit raporton për ndërhyrje në një sërë fshatrash nën Pelister.
Po ngriten argjinatura në lumin Dragor, ndërsa në hyrje të fshatit Karamani po pastrohen mbeturinat për të rritur kapacitetin e rrjedhës.
Janë mbyllur rrugët Lera–Dolenci dhe ajo drejt Caparit, ndërsa niveli i lumit Crna ka arritur në 2.7 m.
Ka pasur gjithashtu raportime për bodrume të përmbytura, oborre, një pemë të rrëzuar dhe rrezik nga kanalet.
Demir Hisar – dalje e lumit Crna
Pranë fshatit Zhvan ka dalë nga shtrati lumi Crna, duke përmbytur tokat bujqësore. Rrëshqitjet e dheut në rrugët lokale Bazerik dhe Virovë janë pastruar dhe rrugët mbeten të kalueshme.
Prilep – shembje tavani për shkak të reshjeve
Në rrugën “Kajmakçalan”, afër spitalit të Prilepit, është raportuar shembja e tavanit të një shtëpie. Shërbimet kompetente janë njoftuar menjëherë.
Ohër, Kumanovë, Strumicë dhe Shkup
Ohër: disa ndërhyrje për shkak të përmbytjeve, situata është stabilizuar pjesërisht.
Kumanovë, Kriva Pallankë, Kratovë: janë pastruar disa rrëshqitje dheu; nivelet e lumenjve janë të larta por pa dalje nga shtrati.
Strumicë: tri rrëshqitje dheu në rrugën Strumicë–Vallandovë.
Shkup: lumenjtë kanë nivel të rritur, por situata mbetet nën kontroll.
AUV bën thirrje për kujdes me ushqimin dhe ujin e pijshëm
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u rekomandon qytetarëve në zonat e prekura të mos përdorin ujë të turbullt për pirje apo gatim derisa të konfirmohet siguria e tij.
AUV paralajmëron:
Ushqimi që ka rënë në kontakt me ujërat e përmbytjes duhet të hidhet.
Ushqimi duhet përpunuar termikisht mbi 70°C.
Frutat dhe perimet e freskëta duhet larë dhe përpunuar shtesë.
Fëmijët në amvisëritë e përmbytura rekomandohet të ushqehen me ushqim industrial të sigurt.

