Mickoski me rastin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe: Suksesi është projekti ynë i përbashkët, çdo qytetar ka vend të barabartë, vlerë të barabartë dhe mundësi të barabarta
Kryeministri Hristijan Mickoski ka uruar qytetarët shqiptarë me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, gjatë mbledhjes solemne të sotme të Qeverisë.
Në fjalimin e tij, Mickoski theksoi se suksesi i një shteti ndërtohet vetëm përmes respektit, besimit dhe përgjegjësisë së përbashkët.
“Në Kongresin e Manastirit të vitit 1908, intelektualët shqiptarë ndërmorën një hap historik drejt krijimit të një alfabeti të unifikuar, duke vendosur themelet e kohezionit gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve. Ishte një akt me rëndësi të madhe evropiane, që modernizoi arsimin dhe hapi rrugën e zhvillimit. Në një periudhë sfidash të mëdha për Ballkanin, Kongresi i Manastirit tregoi se fuqia e shoqërisë buron nga dija, gjuha dhe besimi në të ardhmen”, u shpreh Mickoski.
Ai nënvizoi se kjo ditë ka rëndësi të veçantë edhe për Maqedoninë e Veriut, si një vend i diversitetit dhe bashkëjetesës.
“Maqedonia është shtëpi e shumë komuniteteve, të cilat jo vetëm që nuk na ndajnë, por e pasurojnë historinë tonë kombëtare. Komuniteti shqiptar, me gjuhën, kulturën dhe traditat e tij, është pjesë thelbësore e shtetit. Duke shënuar Ditën e Alfabetit, ne nderojmë brezat që luftuan për arsim, shkrim dhe zhvillim kulturor, si dhe ata që e mbajnë gjallë këtë trashëgimi sot”, tha kryeministri.
Mickoski theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj politikave që forcojnë besimin ndër-etnik dhe krijojnë hapësira për zhvillimin dinjitoz të të gjitha gjuhëve dhe kulturave në vend.
“Synojmë të ndërtojmë një shoqëri ku të rinjtë – maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, boshnjakë, romë, vllehë dhe të gjithë të tjerët – e shohin të ardhmen e tyre këtu. Një shoqëri ku gjuha është urë dhe pasuri, e jo pengesë.”
Ai shtoi se institucionet shtetërore po punojnë në mënyrë aktive për projekte që përmirësojnë jetën e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, duke garantuar barazi dhe integrim.

