Komisionerja Kos: Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen me të drejta të plota në BE

Komisionerja Kos: Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen me të drejta të plota në BE

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka deklaruar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen shtete anëtare me të drejta të plota të BE-së, raporton Anadolu.

Në Tiranë u mbajt samiti mbi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e BE-së diskutuan për planin e rritjes dhe integrimin ekonomik, ndërkohë në fund të samit u mbajt konferenca e përbashkët e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe komisioneres Marta Kos.

– Rama: Kemi konfirmuar përsëri se Plani i Rritjes është një urë e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian

Kryeministri Rama e ka konsideruar organizimin në Tiranë të samitit mbi Planin e Rritjes të BE-së, një tjetër ditë evropiane për Shqipërinë.

“U mblodhëm për samitin e Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, një tryezë që është ndërtuar për të bërë një bilanc të periudhës midis samiteve, për të vlerësuar rezultatet e nismave të përbashkëta dhe për të nënvizuar angazhimet e reja. Sot mund të them që kemi mbyllur një takim të frytshëm me hapa konkretë të mëtejshëm që e afrojnë më tej rajonin me BE-në, duke konfirmuar përsëri se Plani i ri i Rritjes i Bashkimit Evropian është një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian”, tha Rama.

Rama theksoi se kanë biseduar edhe për përafrimin në zinxhirin e vlerës të BE-së në aspektin industrial dhe për turizmin.

Hapjen e të gjithë kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Rama e ka konsideruar një moment historik.

– “Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen me të drejta të plota në BE”

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Kos, u shpreh se Plani i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm që vendet të ecin përpara.

Ajo theksoi se duan që BE të bëhet një realitet i prekshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas saj, që të sjellë begati, siguri dhe stabilitet për të gjithë.

“Sot kemi patur diskutime të hapura për të përshpejtuar zbatimin si dhe për ta bërë planin e rritjes një histori suksesi që sjell rezultate për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian dhe duhet të jenë pjesë e tij dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen shtete anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Evropian”, tha Kos.

Komisionerja Kos theksoi se duhet ta shfrytëzojnë çdo ditë që të punojnë për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Pas samitit u njoftua edhe miratimi i grantit të BE-së dhe Bankës Botërore për programin e sigurt dhe të qëndrueshëm të transportit, prej 54 milionë euro.

Pjesë e samitit përveç kryeministri Rama dhe komisoneres Kos ishin edhe kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, kryeministri serb Gjuro Macut, kryeministri malazez, Milojko Spajiq dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto.

Samiti për Planin e Rritjes me temë “Rruga jonë drejt BE-së”, kishte në fokus diskutimet për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt tregut të BE-së.

MARKETING