(VIDEO) Sela hyn në Qeveri me tre kushte

(VIDEO) Sela hyn në Qeveri me tre kushte

Me përfundimin e zgjedhjeve lokale, fokusi është kthyer përsëri tek pushteti qendror. Numrat janë ato që janë, rezultatet janë qarta, ndërsa pritet të shihet në vijim se si partitë politike do të lëvizin, mazhoranca do të shtohet, do të mbetet ashtu siç është, apo do të largohet ndonjëra parti.

Për këtë temë është diskutuar gjërë e gjatë të hënën  në emision “Debat në Shenja”, ku i ftuar ka qenë lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili  ka lënë të hapur mundësinë për të qenë pjesë e qeverisë. Për të ndodhë kjo, Sela ka tre kushte kryesore,  të cilat janë: miratimi i ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht zhbllokimi i procesit të integrimit në BE, zëvendësimi i termit “20%” me “gjuha shqipe” në Kushtetutë, si dhe vendosja e Badenterit në Gjykatën Kushtetuese.

ZIADIN SELA, KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT

“Fillimisht ndryshimet kushtetuese – zhbllokimi i BE, heqja e 20% – futjen e gjuhës shqipe më Kushtetutë dhe vendimet që sillen me parim Badenteri, të jetë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Këto do të ishin tre tema, në qoftë se do të realizoheshin fillimisht, atëherë do të mund të negociohet me Aleancën për Shqiptarët”.

Megjithatë, duke komentuar situatën aktuale politike, Sela vlerson  se është alarmante, pasi sipas tij,  Mickoski ka aktivizuar strategjinë e Gruevskit, që siç tha, i josh krerët shqiptar me pushtet.

ZIADIN SELA, KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT

“VMRO ka riaktivizuar të njëjtën gjë që përdorte Nikolla Gruevski, pushteti. Duke thënë kini kujdes se do humbni pushtetin! Këtu shifet vizioni i kryetarëve të partive shqiptare. Kryetar që i ndërrojnë deklaratat sipas vendit ku gjendet. P.sh Bilall Kasami, të njohura janë deklaratat e tij, që në fillim deshi të përkrahë kandidaturën në Bërvenicë, pastaj i ndryshoi”.

Duke marrë parasysh se Aleanca për Shqiptarët është ndarë në tre  pjesë,  Sela përjashton mundësinë e bashkimit me Arben Taravarin, duke thënë se ende nuk e ka kuptuar arsyen e ndarjes dhe se ai tha se Taravari është figurë jostabile. Ai thekson se ribashkimi me të është “mision i pamundur”, ndërsa bashkimi i partisë pa Taravarin mbetet i mundur. Ndërkaq,  lidhur me dorëheqjen e Krenar Llogës nga ASh, Sela tha se nuk e ka pritur mirë vendimin e tij, duke shmangur të komentojë më shumë dhe duke nënvizuar se arsyet për largimin,  ai i ka bërë tashmë të njohura në rrjetet sociale.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING