Janevska: Përmes zhvillimit të arsimit profesional formal dhe joformal përmirësojmë tregun e punës dhe forcojmë ekonominë
Maqedonia ka një sistem cilësor të arsimit formal profesional i cili në bashkëpunim me sektorin e biznesit, prodhon kuadro që i nevojiten ekonomisë. Ky sistem vazhdimisht përmirësohet dhe kohët e fundit janë themeluar shtatë qendra rajonale për arsim dhe trajnim profesional, ndërsa paralelisht jemi të fokusuar edhe në zhvillimin dhe promovimin e arsimit dhe trajnimit joformal tek popullata e moshuar me qëllim që të vazhdojmë të zvogëlojmë hendekun midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës. Këto dy segmente do të jenë fokusi i politikave tona arsimore në periudhën që vijon.
Këtë e theksoi Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska gjatë fjalimit si një paneliste në diskutimin e sotëm kushtuar arsimit joformal si koncept i të mësuarit gjatë gjithë jetës i cili u mbajt në kuadër të “Kongresit të tretë global për popullsinë, shëndetin dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor” në Kajro.
Janevska theksoi se shteti po zbaton një politikë të suksesshme gjithëpërfshirëse në arsimin formal, por se arsimi joformal duhet të praktikohet edhe si koncept i të mësuarit gjatë gjithë jetës, për hir të zhvillimit të vazhdueshëm personal dhe përparimit të vazhdueshëm në punë.
“Është një sfidë që 25% e popullsisë në Maqedoni të moshës 25 deri në 64 vjeç vendosin të aftësohen vazhdimisht gjatë gjithë jetës së tyre, të zhvillojnë aftësitë e fituara me qëllim që të sigurojnë një vend pune ose të përparojnë në punën e tyre. Qëllimi ynë është të arrijmë mesataren evropiane prej 47% dhe për këtë arsye kemi miratuar një zgjidhje të re ligjore më efektive, një Strategji të re për arsimin e të rriturve dhe përmes aktiviteteve promovuese i inkurajojmë ata të vazhdojnë arsimimin e tyre, të rrisin punësimin e tyre dhe të jenë më konkurrues në tregun e punës”, ka thënë Janevska.
Ministrja theksoi se shteti, në bashkëpunim me Qendrën e përbashkët kërkimore të Komisionit Evropian ka zhvilluar Strategji të specializimit të mençur e cila tregon se në cilat fusha shteti ka potencial për zhvillim dhe në atë drejtim Qeveria po kanalizon resurset njerëzore dhe investimet. Arsimi profesional formal dhe joformal ndihmojnë në zbatimin me sukses të këtij dokumenti strategjik me qëllimin përfundimtar përparimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut.
Folës në këtë aktivitet kanë qenë zëvendësministri i arsimit dhe trajnimit profesional të Egjiptit, prof. Ajman Baha, sekretari i përgjithshëm i Bordit nacional të universiteteve, prof. Mustafa Rifat si dhe përfaqësues të UNICEF-it dhe Bankës Botërore.

