(VIDEO) “Operacionet e panevojshme”, LSDM i kërkoi Aliut të publikojë emrat e personave të përfshirë
Partia opozitare LSDM ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve rreth skandalit në kardiokirurgji, ku dyshohet për kryerjen e operacioneve të panevojshme ndaj pacientëve. LSDM ka theksuar se ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, edhe pse ka konstatuar se në 10 raste është bërë fjalë për operacione të panevojshme, ende nuk i ka bërë publik emrat e spitaleve dhe mjekëve që i kanë kryer ato dhe se kjo është e papranueshme.
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë
‘’A po i fsheh ministri informacionet qëllimisht për të negociuar apo biseduar me ata që i kanë kryer këto veprime?. Si është e mundur të jetë konstatuar që operacionet kanë qenë të panevojshme, ndërsa njëkohësisht raporti të mos jetë përfundimtar?. Nëse tashmë është konstatuar, nuk ka asnjë arsye pse të mos bëhen publike gjetjet për të cilat ai vetë thotë se janë të vërtetuara, ndërsa hetimi mund të vazhdojë më tej’.
LSDM njoftoi se kërkon publikimin urgjent të raportit të deritanishëm dhe gjetjeve të tij. Ata theksojnë se urgjentisht dhe në mënyrë transparente duhet të publikohen klinikat, si dhe të gjithë personat të përfshirë individualisht në procesin e marrjes së vendimeve për operimin e pacientëve.
Gjithashtu, LSDM thekson se çdo sjellje ndryshe nga ana e Aliut krijon dyshime për manipulim të versionit final të raportit dhe padrejtësisht i stigmatizon të gjitha institucionet shëndetësore dhe mjekët, në vend që përgjegjësia të vendoset saktësisht aty ku duhet. /SHENJA/

