(VIDEO) Panairi i Librit 2025 në Tiranë, Logos-A sjell 49 tituj të rinj për lexuesin shqiptar

(VIDEO) Panairi i Librit 2025 në Tiranë, Logos-A sjell 49 tituj të rinj për lexuesin shqiptar

Këtë vit, SH.B. LOGOS-A, në Panairin e Librit 2025 në Tiranë, vjen me 49 tituj të rinj. Këtu përfshihen libra nga autorë vendos, përkthime si dhe botime nga autorë ndërkombëtarë me renome botërore. Dyzet e nëntë botimet e Logosit, janë vepra të llojshmërisë së veçantë që lexuesve u ofrohen botime nga filozofia, mistika, islamistika, sociologjia dhe letërsia shqiptare. Pra, në kuadër të bibliotekës “LEXO”, që ngërthehen veprat nga fusha e shkencave sociale e filozofike sjellim veprat, “Shfuqizimi i njeriut” nga autori britanik Clive Lewis; “Aspekte britaniko- shqiptare dhe udhëpërshkrime” nga Daut Dauti; “Islami dhe udhëtimet në mesjetë” të Houari Touati; “Nën kupën qiellore” të mendimtarit turk İbrahim Kallën. Nga fusha e letërsisë, ku bëjnë pjesë librat nga biblioteka “DIVAN” veçohen titujt “Ndryshku i kohës”, nga shkrimtari i njohur Kim Mehmeti; librin poetik “Stina e daulleve të shiut” të poetes Neviana Shehi; dhe romanin nga akademiku boshnjak Ferid Muhiç “Udhëtimi për në Tajan”.

Në bibliotekën “GJURMËT” vijnë tituj nga historiografia shqiptare. Këtu do veçohet vepra trevëllimshe të osmanolugut Iljaz Rexha që përmbledh defterët osmanë mbi disa vise shqiptare në Kosovë e që janë dëshmi e autoktonisë shqiptare.

Në kuadër të bibliotekës “ELIF”, këtë vit e plotësojmë veprën nëntëmbëdhjetë vëllimshme “Dyzet Net” të Metin Izetit që ndër shqiptarët paraqet prurje të re në fushën e hermeneutikës së Kur’anit. Si një sihariq për lexuesin këtë vit e sjellim veprën monumentale në dy vëllime të Xhelaleddin Rumiut, “Divani Kebir – Divani i Shems Tabrizit”; veprën e filozofit francez René Guénon “Simbolika e kryqit” etj.

Jo më pak të rëndësishme janë edhe veprat nga fusha e islamistikës ku do të veçonim veprën në tre vëllime, “Si të Lexohet Kur’ani”, nga autori Enes Kariç; “Udhëheqja e Muhammedit a.s. – një rindërtim historik” nga Joel Hayward; “Rinia në kërkim të kuptimit të mendimtarit turk” Mehmet Görmez etj. Ndërkaq, ditë më parë Logos-A, para lexuesve shqiptarë ka sjellur edhe librin “Michel Foucault – Pushteti, dija, individi” të Kushtrim Ahmetit.

Një ndër risitë kryesore të Logosit në përvjetorin e 35-të të saj është edhe botimi i revistës shkencore numri 1-2, ku në këto numra shohim tekste akademiko-shkencore, nga profesorët eminentë botëror, Sejjid Husein Nasr, Ibrahim Kallën, Lea Ypi, Ferid Muhiç etj. Në saje të Panairit të Librit 2025 në Tiranë, vlen të përmendim që Logos-A, këtë vit realizon promovimin e librit më të ri të shkrimtarit Kim Mehmeti me titull “Ndryshku i Kohës” me datë 15 nëntor 2025 (ditë e shtunë) ora 13.00 në Pallatin e Kongreseve me promotor akademik Ali Aliu dhe Agim Baçi. Panairi i Librit “Tirana 2025” pritet të përfundon ditën e diel, më 16 nëntor. /SHENJA/

MARKETING