Rusia është e gatshme të rifillojë bisedimet në Stamboll me Ukrainën
Rusia është e gatshme të rifillojë negociatat me Ukrainën në Stamboll, por Kievi ende nuk ka reaguar ndaj propozimeve të mëparshme, tha sot Alexey Ivanov, i ngarkuari me punë i Rusisë në Turqi, transmeton Anadolu.
“Pala ruse ka theksuar disa herë se jemi të gatshëm të vazhdojmë negociatat e drejtpërdrejta me palën ukrainase. Partnerët tanë turq gjithashtu kanë nënvizuar vazhdimisht se platforma e Stambollit mbetet e disponueshme për ne. Këto dyer mbeten të hapura”, i tha Ivanov agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
Ai tha se Rusia kishte paraqitur më parë disa iniciativa, përfshirë propozime për krijimin e tri grupeve pune onlajn, por “fatkeqësisht, ende nuk kemi marrë një përgjigje pozitive nga pala ukrainase”. Ivanov shtoi se Moska mbetet e hapur për dialog “nëse Kievi tregon vullnet politik”.
Ndërkohë, Sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, i cili udhëheq delegacionin e Kievit për bisedat e drejtpërdrejta me Rusinë, arriti të martën në Stamboll.
Ai tha në Telegram se vizita e tij kishte për qëllim rifillimin e shkëmbimit të të burgosurve të luftës. “Këto ditë do të punoj në Turqi dhe në Lindjen e Mesme për të zhbllokuar procesin e shkëmbimit. Ka pasur një marrëveshje dhe duhet ta zbatojmë”, tha ai.
Rusia dhe Ukraina kanë mbajtur tri raunde të bisedimeve për paqen në Stamboll këtë vit, duke u pajtuar për shkëmbimin e të burgosurve dhe civilëve. Ata gjithashtu ndanë memorandume që përcaktojnë misionet e tyre për të përfunduar luftën që filloi në shkurt 2022.
Moska kishte propozuar krijimin e tri grupeve të punës onlajn për të adresuar çështjet politike, ushtarake dhe humanitare, por duket se progresi ka ngecur që atëherë.
Përveç Turqisë, Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe Arabia Saudite dhe Katari, në masë më të vogël, kanë luajtur gjithashtu role në ndërmjetësimin e shkëmbimeve humanitare midis Rusisë dhe Ukrainës.

