KRRE nuk pret ndryshime në çmimin e transmetimit dhe shpërndarjen e energjisë elektrike
Deri në fund të muajit ose në fillim të muajit të ardhshëm, Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE) do të shpall çmimet për transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike. Kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski nuk pret ndryshime në këtë pjesë.
“MEPSO kërkoi një rritje minimale prej 0.67 për qind për transmetimin e energjisë elektrike, operatori i tregut nuk kërkoi rritje, ndërsa Elektrodistribuimi nuk specifikoi në kërkesën e saj, duke marrë parasysh se gjatë këtij muaji do të ketë një tender për furnizimin e humbjeve të energjisë elektrike të cilat kanë ndikim jashtëzakonisht të madh në çmimin e energjisë elektrike, ashtu që deri në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit të ardhshëm do të dimë çmimet e përcaktuara nga KRRE, ato janë transmetimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike dhe këtu nuk besoj se do të ketë ndryshime. Pas përfundimit të tenderit për furnizuesin universal konform Ligjit të ri për energjetikën, EVN Home do të shpallë çmimin e ri për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël”, thotë Bislimoski i cili sot mori pjesë në konferencën e tretë MARES, kushtuar strukturimit të së ardhmes së energjisë së rinovueshme.
Nga MEPSO nuk presin ndërprerje gjatë periudhës së dimrit. Ata thonë se po investojnë në vazhdimësi dhe se qytetarët duhet të jenë të qetë.
“Po investojmë në vazhdimësi, gjithashtu kemi një numër të madh projektesh aktive që për momentin janë duke u realizuar. Njëri prej tyre është largpërçuesi 110 kilovolt Prilep – Manastir, në vijim është vazhdimi i marrëveshjes për realizimin e interkonektorit midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, presim edhe reaktorin e energjisë reaktive që duhet të instalohet në nënstacionin 400 kilovolt Dubrovë i cili do t’i sillte vendin brenda kufijve normalë. Përveç këtyre projekteve, kemi aplikuar edhe për një numër të madh grantesh përmes Mekanizmit të investimeve në Ballkanin Perëndimor, kështu që mund të themi se jo vetëm në të tashmen, por edhe në të ardhmen, planifikojmë të investojmë në rrjetin e transmetimit në mënyrë që të sigurojmë furnizim të pandërprerë të qytetarëve me energji elektrike”, deklaroi Aleksandar Paunoski nga MEPSO.

