Filipine, rritet në 27 numri i të vdekurve nga tajfuni “Fung-wong”
Numri i të vdekurve nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga tajfuni “Fung-wong” (Uwan) që preku Filipinet është rritur në 27, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të “Inquirer News”, Këshilli Kombëtar i Reduktimit dhe Menaxhimit të Rrezikut nga Fatkeqësitë (NDRRMC) lëshoi një deklaratë në lidhje me fatkeqësitë dhe aksidentet e shkaktuara nga tajfuni “Fung-wong”.
Në deklaratë thuhet se në përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga tajfuni, 27 persona kanë humbur jetën, 36 të tjerë janë plagosur dhe dy persona rezultojnë të zhdukur.
Tajfuni ka prekur më shumë se 2.4 milionë njerëz në 15 rajone në të gjithë vendin.
Në Filipine edhe për shkak të tajfunit “Kalmaegi” humbën jetën 232 persona. Presidenti filipinas, Ferdinand Marcos Jr. gjatë një takimi me zyrtarët e reagimit ndaj fatkeqësive më 6 nëntor, njoftoi shpalljen e një “gjendjeje të katastrofës kombëtare” për shkak të tajfunit.
Më shumë se 7.300 njerëz humbën jetën nga tajfuni “Haiyan”, i cili goditi vendin e Azisë Juglindore të Filipineve në nëntor 2013.

