(VIDEO) Zyrtarët premtojnë depolitizimin e arsimit

(VIDEO) Zyrtarët premtojnë depolitizimin e arsimit

Depolitizimi i arsimit është njëra nga temat në të cilat kanë folur, kreu i Tetovës, Bilall Kasami dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Kreu i Komunës, Bilall Kasami duke folur për këtë temë tha se personalisht angazhohet që arsimi të mos ketë lidhje me politikën dhe arsimtarët dhe personeli i angazhuar të mos jenë të obliguar të marrin pjesë nëpër mbledhime politike dhe në fushata.

Kasami mes tjerash tha se në mandatin e parë sa ka qenë kryetar komune, 300 mësues kanë marrë vendime të përhershme.

BILALL KASAMI – KRYETAR I KOMUNËS SË TETOVËS

Në mandatin tim, gati 300 mësues kanë marrë vendime, shumë pak janë mësimdhënësit të cilët janë me kontrata të përkohshme dmth, në bazë të procesit që bazohet në ligj, të gjithë ata mësues që i kanë plotësuar kushtet kanë marrë vendime të përhershme.

Për çështjen e presioneve që ushtrohet mbi arsimtarët që janë me kontrata në vepër foli edhe Janevska e cila tha se është kundër kësaj dhe se e njejta nuk arsyetohet. Tha se me fëmijët dhe me të ardhmen e vendit duhet të punojnë kuadrot më të mirë dhe më të përgatitur.

VESNA JANEVSKA – MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS

Jam në dijeni se kanë ndodhur gjëra të tilla. Jam absolutisht kundër kësaj, nuk ka absolutisht asnjë justifikim. Mësuesit më të mirë duhet të hyjnë në arsim. Ata që janë të motivuar të punojnë me fëmijët sepse nuk është një punë e lehtë. Ligji nuk është aq i keq nëse nuk abuzohet me të. Do të ketë edhe një ligj të ri për mësuesit.

Përndryshe, arsyeja e vizitës së Janevskës në Tetovë është panel diskutimi që u zhvillua në shkollën e mesme të mjekësisë. Kjo është vizita e parë e Ministres së Arsimit në Tetovë pas përfundimit të procesit zgjedhor lokal.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING