(VIDEO) Aliu: PDSH e hapur për negociata për secilin subjekt politik
Partia Demokratike Shqiptare është në pritje të ftesës për të diskutuar me partitë e shumicës për t’u bërë pjesë e Qeverisë. Imer Aliu nga kjo parti deklaroi se deri më tani nuk ka pasur ftesë, megjithatë tash e tutje janë të hapur për të diskutuar me secilin aktor politik. Megjithatë, shtoi se aktualisht ka mos përputhje mes PDSH-së dhe Qeverisë.
Imer Aliu – PDSH
“Mirëpo ne nuk do të refuzojmë ftesa, dialog apo debatin më sakt ne do ta zhvillojmë me secilin tash e tutje, përfshi edhe Qeverinë. Mirëpo një gjë është e qartë, rendi i ditës i PDSH-së dhe rendi ditës i Qeverisë duket se është i ndryshëm. Mirëpo sigurisht ne do të debatojmë me të gjithë”.
Imer Aliu tha se PDSH-ja do të mbajë përgjegjës partitë e shumicës dhe kryetarët e komunave që u kanë premtuar qytetarëve. Aliu shtoi se humbja e BDI-së nuk është tragjedi kombëtare por humbje e një grupi të caktuar.
Imer Aliu – PDSH
“Ne si PDSH atë do të bëjmë, do të mbajmë përgjegjës këta që kanë premtuar qytetarëve dhe që i kanë pozicionet tash e tutje në pushtetin lokal dhe në pushtetin qëndrorë. Ajo që BDI ka humbur nuk është tragjedi kombëtare, mund të jetë tragjedi e disa individëve dhe grupit të caktuar sigurisht, nuk ka të bëjë me tragjedi kombëtare”.
Sot Partia Demokratike Shqiptare ka zhvilluar mbledhjen e kryesisë qendrore, ndërkaq vlen të kujtohet se kjo parti nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale të tetorit. Para se të merrte vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhje, PDSH-ja mori vendim për t’u larguar edhe nga Fronti Europian.
Mevludin Imeri /SHENJA/

