(VIDEO) Koalicioni VLEN vlerëson krerët e rinj të komunave të Haraçinës dhe Tearcës
Ndonëse mandatin e kryetarëve, Daut Memishi dhe Daut Beqiri e kanë marrë tashmë një javë, koalicioni VLEN përmes rrjeteve sociale këto ditë i ka cilësuar si ditë të veçanta për Haraçinën dhe Tearcën. Sipas këtij koalicioni që doli fitues në dy komunat e lartpërmendura, qytetarët përjetuan fillimin e një epoke të re me kryetarët e rinj të komunave, duke shënuar një kapitull të ri të qeverisjes lokale.
TABELË
“Në Haraçinë, Daut Beqiri mori detyrën e kryetarit të komunës, duke sjellë premtimin për më shumë transparencë, investime dhe përkujdesje për çdo qytetar. Marrja e detyrës nga Beqiri përfaqëson më shumë se një ndryshim administrativ – është një ndryshim epoke. Në Tearcë, kryetari i ri Daut Memishi shënoi fillimin e një kapitulli të ri për komunën, me fokus tek ndershmëria, transparenca dhe zhvillimi. Për qytetarët e Tearcës, kjo fitore është simbol i shpresës mbi frikën, i punës mbi premtimet boshe dhe i qytetarit mbi klanet”.
Koalicioni VLEN uron sukses të plotë kryetarëve të rinj dhe garanton mbështetjen e qeverisë për përshpejtimin e zhvillimit të dy komunave.
Kur jemi tek zgjedhja e kryetarëve të rinjë kujtojmë se dje detyrën e kryetarit të Komunës së Studeniçanit e mori Ejup Abazi nga koalicioni, Aleanca Kombëtare për Integrim, i cili në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale e mundi Azem Sadikin, kandidat i pavarur i mbështetur nga koalicioni VLEN.
Mevludin Imeri /SHENJA/

