Kosova nesër në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

Kosova nesër në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

Kosova nesër shkon në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ku qytetarët do të votojnë për kryetarët në 18 komuna, përfshirë Prishtinën, në të cilat asnjëri prej kandidatëve nuk arriti shumicën e nevojshme në raundin e parë, raporton Anadolu.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), komunat ku do të ketë raund të dytë zgjedhor më 9 nëntor janë Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.

Të drejtë vote këtë të diel kanë vetëm qytetarët e këtyre komunave që jetojnë në Kosovë dhe jashtë vendit.

Sipas vendimit të KQZ-së, për këtë raund janë shtypur 1.158.015 fletëvotime apo rreth 16 për qind më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund. Ky numër përfshin fletëvotimet për: vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, personat me nevoja të veçanta, fletëvotimet rezervë dhe votimin me postë i cili mbyllet më 8 nëntor.

Tashmë në 20 komuna, kryetarët e rinj dhe përbërja e re në asamble komunale është zgjedhur qysh në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, më 12 tetor dhe qytetarët do të votojnë vetëm për njërin nga dy kandidatët më të votuar në raundin e parë në komunë.

Fushata zgjedhore filloi më 3 nëntor ndërsa do të jetë e hapur deri në hapjen e vendvotimeve, mëngjesin e 9 nëntorit.

Votimi do të zhvillohet nga ora 07:00 deri në 19:00.

Procesin e votimit më 9 nëntor do ta monitorojnë 8 mijë e 49 vëzhgues nga shtatë subjektet politike të certifikuara, të cilat garojnë në raundin e dytë për kryetarë komunash si dhe nga organizata të ndryshme joqeveritare dhe përfaqësi diplomatike.

MARKETING