(VIDEO) Kryeministri i kënaqur me Raportin e BE-së, thotë se janë para Shqipërisë
Ndonëse raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut, i publikuar nga Komisioni Evropian, vlerëson se vendi nuk ka shënuar pothuajse asnjë përparim në reformat kyçe, sidomos në drejtësi dhe sundimin e ligjit, Kryeministri Hristijan Mickoski është shprehur optimistë dhe i kënaqur. Ai tha se ashtu siç ka deklaruar disa herë, vendi ka nevojë për reforma në gjyqësor, për të cilën tha se do të angazhohet tani pas zgjedhjeve.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Shikoni, po t’i bënim ndryshimet kushtetuese, më të mirët do të ishim, dhe më pas të marrim veto të re, e më pas probleme të reja. Atëherë me siguri do të merrnim 5, do të ishim kampionë, udhëheqës. Por nga ajo që është shkruar atje, unë jam jashtëzakonisht i kënaqur sepse nuk ka kthim prapa. Ka ngecje në disa sfera. E dimë të gjithë, dhe ne e flasim të gjithë këtë”.
Mickoski madje kundërshton disa prej deklaratave të zyrtarëve evropianë, sipas të cilëve, Shqipëria është përpara Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Përndryshe nuk mund të pajtohem me konstatimin se ka disa vende të tjera që janë para nesh, për shembull ne jemi shumë para Shqipërisë, kushtimisht thënë, në 8 sfera jemi para Shqipërisë, edhe pse disa nga eurokomisionerët japin deklarata të tilla, siç dhanë. Kështu që kur të analizohet gjendja e shteteve se kush është gati e kush nuk është gati. Nota objektive është se Mali i Zi është i pari, në vendin e dytë jemi ne dhe Serbia dhe më pas vijnë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova e kështu me radhë”.
Kujtojmë se Komisioni Evropian publikoi më 4 nëntor raportin e progresin për Maqedoninë e Veriut, sipas të cilit vendi nuk ka shënuar aspak përparim në reformimin e sistemit gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit. Raporti ka përmendur edhe tragjedinë e Koçanit, për të cilën tha se, ky rast zbuloi sfida të qëndrueshme sistemike mbi zbatimin e masave antikorrupsion.
Samir Mustafa /SHENJA/

