WFP: Ndihma ushqimore arriti tek 1 milion njerëz në Gaza, por nevojitet shumë më tepër qasje
Programi Botëror i Ushqimit (WFP) ka arritur me pako ushqimore tek rreth 1 milion njerëz në të gjithë Rripin e Gazës në tre javë e gjysmë që nga fillimi i armëpushimit, por theksoi se ende nuk mund të përmbushë shkallën e plotë të urisë pa më shumë qasje dhe kalime të hapura, transmeton Anadolu.
“Për momentin, ne jemi praktikisht tre javë e gjysmë në armëpushimin në Gaza dhe kemi shpërndarë pako ushqimore për rreth 1 milion njerëz në të gjithë Rripin e Gazës”, u tha gazetarëve në Gjenevë zëdhënësja e WFP-së, Abeer Etefa.
Etefa tha se kjo është “kundër objektivit prej 1.6 milionë”, duke shtuar se “furnizimet ende janë të kufizuara, kështu që çdo familje po merr një porcion të reduktuar ushqimor, që është një pako dhe kjo është ushqim i mjaftueshëm për 10 ditë”.
Ajo theksoi se ky ishte raundi i parë i rregullt i shpërndarjes së pakove ushqimore që nga muaji prill.
Sipas zëdhënëses, WFP-ja ka 44 pika të shpërndarjes aktive, nga një objektiv prej 145 pikash.
Lidhur me furnizimin me bukë, ajo tha se “rreth 700 mijë njerëz po marrin bukë të freskët çdo ditë përmes 17 furrave të bukës të mbështetura nga WFP-ja, nëntë në Gazën jugore dhe qendrore, si dhe tetë në veri”.
Lidhur me ndihmën në para digjitale, Etefa tha se “200 mijë njerëz tani marrin pagesa digjitale”, duke përmbushur objektivin mujor. Por, shtoi ajo, qasja mbetet një pengesë e madhe.
“Ne me të vërtetë kemi nevojë për më shumë qasje, për të hapur më shumë kalime kufitare dhe më shumë qasje në rrugët kryesore brenda Gazës. Vetëm dy kalime kufitare janë në funksion dhe dërgesat në veri kërkojnë devijime të gjata përmes zonave të dëmtuara”, theksoi ajo.
Ajo gjithashtu tha se WFP-ja ka sjellë 20 mijë tonë metrik ushqim gjatë armëpushimit, “afërsisht gjysma e asaj që na nevojitet”. Pavarësisht përmirësimeve të vogla, sipas agjencisë, shumica e familjeve ende konsumojnë vetëm drithëra, bishtajore dhe porcione të thata.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli në Gaza ka vrarë të paktën 69 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur mbi 170 mijë të tjerë.
Izraeli për gati 18 vjet ka mbajtur një bllokadë në Gaza, ku banojnë gati 2.4 milionë njerëz dhe e shtrëngoi rrethimin në muajin mars kur mbylli pikat kufitare dhe bllokoi shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve, duke e çuar enklavën në uri të rëndë.
Hyrja e ndihmës në Gaza filloi pas një armëpushimi midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas që u arrit më 10 tetor, bazuar në një plan paqeje prej 20 pikash të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Megjithatë, Izraeli e ka shkelur armëpushimin disa herë.

