Ekspertët e sigurisë ushqimore: Mbi gjysma e popullsisë së Sudanit të Jugut do të përballet me krizë dhe uri në 2026-tën
Një raport i Klasifikimit të Integruar të Fazës së Sigurisë Ushqimore (IPC) ka paralajmëruar se më shumë se gjysma e popullsisë së Sudanit të Jugut do të përballet me krizë ose me nivele edhe më të rënda të urisë gjatë sezonit të dobët të vitit 2026, transmeton Anadolu.
Kjo do të thotë se afërsisht 7.56 milionë njerëz do të jenë në gjendje të pasigurisë ushqimore nga prilli deri në korrik, ndërsa mbi 2 milionë fëmijë pritet të vuajnë nga kequshqyerja akute.
Sipas raportit, pasiguria ushqimore dhe kequshqyerja në Sudanin e Jugut mbeten jashtëzakonisht të larta, të nxitura kryesisht nga konfliktet lokale dhe pasiguria civile në rritje që kanë zhvendosur një pjesë të madhe të popullsisë, si dhe nga përmbytjet e përhapura që vazhdojnë të ndërpresin jetesën dhe prodhimin bujqësor.
Rreth 5.97 milionë njerëz ose 42 për qind e popullsisë së Sudanit të Jugut po përballen me pasiguri të rëndë ushqimore midis shtatorit dhe nëntorit, përfshirë 1.3 milionë persona në gjendje emergjente (faza 4 sipas IPC-së) dhe 28 mijë në gjendje katastrofike (faza 5 sipas IPC-së).
Raporti, i përgatitur nga agjencitë e OKB-së dhe qeveria e Sudanit të Jugut, thekson se rrethi Luakpiny/Nasir në rajonin e Nilit të Epërm është në rrezik urie nëse realizohet skenari më i keq.
“Uria që po dëshmojmë në Sudanin e Jugut rrjedh pjesërisht nga sezonet e ndërprera bujqësore dhe sistemet agro-ushqimore që janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat ushqimore të vendit”, tha Meshack Malo, përfaqësuesi i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) në Sudanin e Jugut.
Sipas raportit, arritja e “paqes së qëndrueshme dhe rigjallërimi i sistemeve agro-ushqimore” janë thelbësore për t’i dhënë fund urisë. Ai tha se kur fushat të kultivohen dhe tregjet të rikthehen, familjet do të rimarrin dinjitetin e tyre.
Raporti thekson se qasja humanitare mbetet një nga sfidat më kritike. Në shumë zona, pasiguria, plaçkitjet, rrugët e këqija dhe përmbytjet kanë izoluar komunitete të tëra për muaj të tërë. Situata po pengon mbështetjen shpëtimtare të arrijë tek ata që kanë më shumë nevojë dhe po përkeqëson cenueshmërinë e tyre.
Drejtoresha e Programit Botëror të Ushqimit (WFP) në Sudanin e Jugut, Mary-Ellen McGroarty, tha se “kjo është një trajektore alarmante”.
“Nivelet e vazhdueshme të urisë mbeten thellësisht shqetësuese. Në konte ku është ruajtur paqja dhe aktorët kanë qasje dhe burime të vazhdueshme, njerëzit kanë ndërmarrë hapat e parë drejt rimëkëmbjes. Teksa ky progres është inkurajues, është thelbësore që ne të ruajmë vrullin për të siguruar ndryshime pozitive të qëndrueshme në të gjithë komunitetet e prekura”, tha McGroarty.
Raporti tregoi se gjashtë konte të paprecedentë parashikohen të godasin nivelet më kritike të kequshqyerjes akute në vitin 2026, kryesisht për shkak të zhvendosjes së shkaktuar nga konflikti dhe qasja e kufizuar në ushqim, ujë dhe shërbime shëndetësore, së bashku me një shpërthim të kolerës që përhapet.
Gjithsej 2.1 milionë fëmijë nën 5-vjeç dhe 1.1 milionë nëna janë në rrezik të kequshqyerjes akute deri në qershor të vitit 2026.
“Kjo analizë paraqet një pamje shumë shqetësuese, me nivele të larta të vazhdueshme të kequshqyerjes së rëndë për fëmijët më të vegjël. Këta fëmijë nuk janë fajtorë për faktorët që kanë shkaktuar zhvendosjen dhe mbylljen e qendrave të ushqyerjes. Qasja e sigurt dhe vazhdimësia e shërbimeve shëndetësore dhe të ushqyerjes që shpëtojnë jetë në të gjitha zonat e prekura janë kritike dhe urgjente”, tha përfaqësuesja e UNICEF-it për Sudanin e Jugut, Noala Skinner.
Ministri i Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore i Sudanit të Jugut, Hussein Abdelbagi, tha se 42 për qind e popullsisë po përballet me krizë ose nivele më të këqija të pasigurisë ushqimore.
Ai tha se gjatë periudhës së korrjes dhe pas korrjes nga dhjetori i vitit 2025 deri në mars të vitit 2026, shifrat parashikohet të bien pak në 5.86 milionë, që përfaqësojnë 41 për qind përpara se të rriten përsëri në 7.56 milionë njerëz gjatë sezonit të varfër të vitit 2026.
Ai premtoi se qeveria, së bashku me agjencitë e OKB-së dhe partnerë të tjerë, do të bëjë më shumë për të mbështetur njerëzit në nevojë pavarësisht mungesave të fondeve.

