(VIDEO) Marta Kos: Tirana i ka përmbushur ambiciet

(VIDEO) Marta Kos: Tirana i ka përmbushur ambiciet

Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten vendet lidere në rajon sa i përket përparimit të tyre drejt rrugës eurointegruese. Sipas raportit të progresit që u publikua sot nga Komisioni Evropian, të dy vendet kanë shënuar përparim të ndjeshëm në procesin e tyre të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kanë demonstruar angazhim të qëndrueshëm ndaj reformave thelbësore dhe ndaj përmbushjes së standardeve të BE-së.

Marta Kos, Eurokоmisare për Zgjerim

Shqipëria ka bërë një progres të paprecedent 5 nga 6 grupe negociuese janë veçmë të hapur duke mbetur vetëm një i cili mund të hapet këtë nëntor. Ky rezultat i shkëlqyer është njohja e angazhimit të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe aspirata e qartë e shoqërisë së saj për në BE. 91 përqind e qytetarëve të Shqipërisë mbështetin anëtarësimin në BE, që është numri më i lartë nga të gjtiha vendet kandidate”.

KE pret që me këtë ritëm, Shqipëria të përfundojë negociatat deri në vitin 2027. Mali i Zi, nga ana tjetër, ka mbyllur katër kapituj negociues gjatë vitit të kaluar dhe po punon për mbylljen përkohësisht të kapitujve të tjerë deri në fund të vitit 2025. Nëse ky ritëm i reformave vazhdon, Mali i Zi pritet të përfundojë negociatat e pranimit deri në fund të vitit 2026.

Ndërkaq, përparimi i mëtejmë i Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian mbetet një sifdë, pavarësisht se në këtë raport janë theksuar disa hapa pozitiv që ka ndërmarrë vendi për harmonizim me legjislacionin e BE-së. Në raport theksohet se, polarizimi në shoqërinë serbe është thelluar në sfondin e protestave masive që po zhvillohen në të gjithë Serbinë që nga nëntori i vitit 2024, duke reflektuar zhgënjimin e qytetarëve për shkak, ndër të tjera, të korrupsionit dhe mungesës së perceptuar të llogaridhënies dhe transparencës.

Serbia pritet të kapërcejë ngecjen në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore në përgjithësi dhe të përmbysë urgjentisht kthimin prapa në lirinë e shprehjes dhe erozionin e lirisë akademike.

Sa i përket Kosovës, raporti potencon se, vonesa në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit ngadalësoi progresin e reformave që lidhen me BE-në. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i angazhimeve të Dialogut mbeten një pjesë integrale e perspektivës evropiane të Kosovës. Komisioni është i gatshëm të përgatisë një Opinion mbi kërkesën e anëtarësimit të Kosovës, nëse kërkohet nga Këshilli. Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për të hequr gradualisht masat kundër Kosovës që janë në fuqi nga maji 2025. Hapat e ardhshëm mbeten të kushtëzuar nga deeskalimi i qëndrueshëm në veri. Komisioni synon t’i heqë më tej këto masa me kusht që të arrihet një transferim i rregullt i qeverisjes lokale në veri pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe deeskalimi të jetë i qëndrueshëm.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING