Çmimi “Thomas Dehler” për vitin 2025 i ndahet hafiz dr. Benjamin ef. Idrizit
Të mërkurën, më 29 tetor të këtij viti, në një ceremoni solemne në Shtëpinë e Artistëve në Mynih, iu dorëzua Çmimi “Thomas Dehler” për vitin 2025 hafiz dr. Benjamin ef. Idrizit, imam i bashkësisë islame në Penzberg të Gjermanisë dhe themelues i Forumit Islamik të Mynihut.
Hafiz dr. Benjamin ef. Idriz është figurë e njohur për publikun tonë. Ai ka lindur dhe është rritur në Shkup, në një familje hafizësh, si bir i hafizit të njohur Idriz Idrizit. Shkollimin e ka nisur në Siri, ndërsa studimet dhe përkryerjen profesionale i ka vazhduar në Francë, Gjermani, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Sanxhak.
Prej më shumë se tridhjetë vitesh, ai drejton një nga qendrat islame më përfaqësuese dhe më aktive multietnike në Gjermani – në qytetin e vogël bavarez të Penzbergut, afër Mynihut.
Kontakti i drejtpërdrejtë me opinionin gjerman
Ligjëratat, predikimet dhe recitimet e tij të Kuranit, si dhe paraqitjet e shumta në media, forume e konferenca, kontaktet në Gjermani dhe në botën arabe, si dhe aftësia e tij për të komunikuar rrjedhshëm në gjashtë gjuhë – turqisht, shqip, maqedonisht, gjermanisht, arabisht dhe boshnjakisht – e bëjnë të veçantë për shkak të fuqisë për të kapërcyer barrierat dhe për të ndërtuar ura. Imam Idriz ka botuar disa libra të rëndësishëm në gjermanisht, shqip, boshnjakisht dhe arabisht.
Pikërisht këtë aspekt të veprimtarisë së tij e theksoi edhe ish-ministrja federale e drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger, gjatë fjalës së saj në ceremoninë e ndarjes së çmimit në Mynih, kur tha se Idriz është
“i vetmi imam që shkruan dhe boton në gjermanisht, që flet në gjermanisht dhe që ka kontakt të drejtpërdrejtë me publikun gjerman.”
Ajo vuri në dukje rëndësinë e këtij aktivizmi publik dhe të hapjes ndaj shoqërisë gjermane përmes ngjarjeve të drejtpërdrejta të komunikimit, si “Ditët e Hapura të Xhamive”, që ndihmojnë në shkatërrimin e paragjykimeve ndaj islamit dhe myslimanëve.
Kujtojmë se në fund të vitit 2019, Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, vizitoi personalisht Qendrën Islame në Penzberg – vizita e parë e një presidenti gjerman në një xhami – ku e përshkroi komunitetin dhe imamin Idriz si shembull të një bashkësie moderne dhe plotësisht të integruar myslimane në vend.
Vlerësim për luftën kundër paragjykimeve dhe urrejtjes
Çmimi i Fondacionit “Thomas Dehler” u jepet personaliteteve që kanë merita të veçanta në forcimin e unitetit të brendshëm të Gjermanisë, në mbrojtjen e shtetit ligjor dhe në luftën kundër paragjykimeve, intolerancës dhe urrejtjes.
Në mesin e fituesve të mëparshëm gjenden figura të shquara të politikës dhe kulturës gjermane si Hans-Dietrich Genscher, ish-ministri i jashtëm, Otto Graf Lambsdorff, politikan i njohur liberal, si dhe Helmut Markwort, themelues i revistës Focus. Fituesja e fundit, në vitin 2024, ishte historiania austriake Mirjam Zadoff.
Fakti që në vitin 2025 ky çmim i është dhënë një imani, e rendit Idrizin ndër emrat më të spikatur të skenës politike dhe shoqërore gjermane dhe përbën një kontribut të madh në luftën kundër islamofobisë dhe propagandës që është përhapur vitet e fundit për shkak të krizave gjeopolitike.
“Evropa ka nevojë për islamin – dhe islami për Evropën”
Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë, imam Benjamin Idriz mbajti një fjalë prekëse dhe të fuqishme, që u cilësua nga të pranishmit si një mesazh i thellë personal dhe shoqëror.
Ai theksoi se çmimin nuk e pranon si lavd personal, por si shenjë mirënjohjeje për të gjithë myslimanët që në Gjermani punojnë për paqe, dialog dhe bashkëjetesë:
“Ky çmim nuk është imi – ai u takon të gjithëve që ndërtojnë ura besimi.”
Idriz i kushtoi fjalë të veçanta familjes, komunitetit dhe bashkëpunëtorëve që kanë ndarë me të të njëjtën rrugë. Ai rikujtoi se thelbi i islamit përputhet me vlerat bazë të demokracisë:
“Islami, në thelb, qëndron përkrah lirisë së njeriut dhe drejtësisë universale – njësoj si demokracia.”
Një pjesë të madhe të fjalës ia kushtoi përvojës së islamit në Gjermani, duke e përshkruar komunitetin e Penzbergut si shembull të islamit bashkëkohor, gjithëpërfshirës dhe të hapur:
“Integrimi nuk është përshtatje, por takim që i ndryshon të dy palët. Myslimanët nuk duhet të jenë vetëm mysafirë, por nikoqirë – nikoqirë të paqes dhe përgjegjësisë.”
Në fund të fjalimit, Idriz theksoi se dialogu nuk është luks, por detyrim moral dhe dënoi çdo formë të urrejtjes dhe ekstremizmit:
“Në fund, nuk do të numërohet sa fort kemi folur, por nëse kemi heshtur kur janë shkelur të drejtat e njeriut.”
Ai përfundoi me një mesazh të fuqishëm:
“Evropa ka nevojë për islamin, dhe islami për Evropën.”
Sipas tij, nga bashkimi i arsyes evropiane dhe shpirtësisë islame mund të lindë një dritë që udhëheq njerëzimin drejt së mirës së përbashkët.
“Kurrë nuk kam pranuar që islami të përdoret për qëllime ideologjike apo politike”, – tha Idriz, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm të imamëve në jetën gjermane: “Puna e tyre e heshtur është themeli i paqes.”
Në përmbyllje, hafiz dr. Benjamin Idriz dërgoi një mesazh të qartë kundër urrejtjes dhe dehumanizimit:
“Kush përpiqet të na shtyjë në një qoshe antisemitike, përmbys të vërtetën dhe historinë. Ne do të qëndrojmë me dinjitet kundër çdo padrejtësie dhe do të mbetemi në anën e dialogut, paqes dhe dinjitetit njerëzor.”
Mirnes Kovaç


