Sot në Koçan zhvillohet protesta e 28-të “Për engjëjt”
Sot, me fillim nga ora 15:05, në qytetin e Koçanit do të mbahet marshi protestues i 28-të me moton “Për engjëjt”, në mbështetje të familjeve të viktimave të tragjedisë së zjarrit në lokalin “Puls” dhe për kërkesë drejtësie për 63 viktimat e kësaj ngjarjeje tragjike.
Marshi do të nisë nga “Parku i Revolucionit”, do të kalojë përmes qendrës tregtare dhe më pas do të vazhdojë drejt ndërtesave të Administratës së të Ardhurave Publike dhe stacionit të policisë së qytetit.
Pjesëmarrësit më pas do të marshojnë drejt rrethrrotullimit pranë urës së dyfishtë, ku është planifikuar një ndalesë e shkurtër dhe bllokadë simbolike nga të dy anët e rrugës.
Pas këtij momenti, turma do të vijojë drejt ndërtesës së Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Publike në Koçan, për t’u rikthyer më pas në “Parkun e Revolucionit”, ku marshi do të përmbyllet.
Ndërkohë, seanca e parë gjyqësore lidhur me tragjedinë e Koçanit është caktuar të mbahet më 19 nëntor 2025.

