(VIDEO) VMRO: E kemi mundur 10 me 1 LSDM-në!

(VIDEO) VMRO: E kemi mundur 10 me 1 LSDM-në!

Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, e cila në zgjedhjet lokale të 19 tetorit fitoi më shumë vota , edhe sot ka publikuar analiza partiake për rezultatet nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale, duke i krahasuar me ato të kundërshtarit të saj politik, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë LSDM. Ata e kanë pasqyruar suksesin e zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar në vlerë përqindjeje, dhe krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, thonë se kanë rritje në numrin e votave për kryetarë komunash dhe këshilltarë në komuna.

Sipas VMRO-DPMNE-së, raporti mes tyre dhe LSDM-së pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale është 10 me 1, që sipas partisë tregon se qytetarët kanë bërë zgjedhjen e duhur.

VALENTIN MANASIEVSKI, ANËTAR I KOMITETIT QENDROR TË VMRO-DPMNE-SË

Zgjedhjet lokale ishin dëshmi se nëse punon ndershëm, me transparencë dhe përkushtim, populli do ta vlerësojë dhe do të të shpërblejë për këtë. VMRO-DPMNE fitoi 550 këshilltarë nëpër komunat e shtetit dhe në qytetin e Shkupit, ndërsa LSDM fitoi rreth 230 këshilltarë. VMRO-DPMNE fitoi 12 000 vota më shumë se në zgjedhjet e kaluara, ndërsa LSDM humbi 111 000 vota. VMRO-DPMNE fitoi 11 më shumë kryetarë komunash në raundin e parë, ndërsa LSDM humbi gjashtë”.

Sa i përket kandidatëve të tyre për kryetarë komunash që do të garojnë në raundin e dytë më 2 nëntor, nga VMRO-DPMNE theksojnë se ata janë favoritë në të gjitha 26 komunat, ndërsa bëjnë thirje qytetarëve që të dalin masovikisht për t’i votuar.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale VMRO-DPMNE dhe koalicioni kanë marrë 301 720 vota, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga LSDM mori 125 758 vota. Krahasuar me dy ciklet e mëparshme zgjedhore, VMRO-DPMNE të dielën ka marrë rreth 135 000 vota më pak se në zgjedhjet parlamentare të majit të vitit të kaluar, por rreth 10 000 vota më shumë se në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Ndërkohë, për LSDM-në, rezultati i së dielës është më i dobët për rreth 30 000 vota krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar dhe rreth 110 000 vota më pak se në zgjedhjet e vitit 2021.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING