(VIDEO) VMRO dhe LSDM përplasen për votat e përkthyera në deputetë

(VIDEO) VMRO dhe LSDM përplasen për votat e përkthyera në deputetë

Pas përfundimit të rrethit të parë të zgjedhjeve lokale skena politike në RMV është ndezur sërisht me debate, akuza dhe përplasje të pushtetit dhe opozitës. VMRO DPMNE sot ka deklaruar se, nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, duke iu referuar rezultatit në zgjedhjet lokale, VMRO do të kishte mbi 60 deputetë, ndërkaq LSDM do të ishte partia e tretë në disa njësi zgjedhore. Sipas tyre populli e ndëshkoi LSDM-në dhe e bëri që të jetë në disa vende në shtet si dhe në qytetin e Shkupit, partinë e tretë, të katërt dhe madje të pestë. VMRO e shpall veten fituese absolute duke u mburrur me 300 mijë vota dhe me më shumë se 550 këshilltarë në të gjithë vendin.

VMRO-DPMNE

Në këto zgjedhje VMRO-DPMNE fitoi 12.000 vota më shumë se në vitin 2021, ndërsa LSDM u fundos me minus 111.000 vota. Kjo është një humbje që pasqyron më së miri mosbesimin e qytetarëve ndaj politikave të tyre të dështuara, qeverisjes jokompetente dhe personelit jokualitativ . VMRO-DPMNE është partia me mbështetjen më të madhe në 59 komuna dhe qytetin e Shkupit dhe në shumicën e tyre ka shumicë absolute në këshilla”.

Nga ana tjetër LSDM i është kundërpërgjigjur VMRO-së duke i quajtur këto llogari “përpjekje për manipulim”. Ata thonë se nëse nesër do të kishte zgjedhje parlamentare, VMRO nuk do të kishte më shumë se 52 deputetë ndërsa LSDM të paktën 21 deputetë. Sipas LSDM-së përpjekjet e dëshpëruara për manipulim janë rezultat i tronditjes që përjetuan dhe rënies së mbi 140.000 votave, që siç thonë ata, është një sinjal i qartë se gënjeshtrat dhe politikat e tyre të gabuara janë lexuar.

LSDM

VMRO-DPMNE do të kishte 52 deputetë dhe LSDM 21, ata humbën 140.000 vota dhe po gënjejnë kot me matematika të gëzueshme. VMRO-DPMNE nuk mund ta fshehë rënien e saj dhe shifrat janë të qarta dhe të pamëshirshme ndaj tyre. Analiza e deputetëve sipas votave është një operacion i saktë matematikor që tregon qartë se VMRO-DPMNE do të binte në 52 deputetë dhe LSDM do të kishte të paktën 21”.

Në këtë duel politik ku numrat përdoren si armë dhe retorika si mburojë, të dyja partitë duket se kanë kaluar tashmë nga analiza në fushatë, ndërsa vendi hyn në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për disa komuna kyçe. Nga VMRO thanë se tani është koha për ta rrumbullakosur këtë fitore të madhe në raundin e dytë ndërsa nga LSDM thanë se LSDM vazhdon betejën e saj për 17 komuna të tjera.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING