Osmani: Arroganca e disave në VLEN po bëhet e gërditshme, AKI mbetet zëri i shqiptarëve

Osmani: Arroganca e disave në VLEN po bëhet e gërditshme, AKI mbetet zëri i shqiptarëve

Pas shpalljes së rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në komunën e Çairit, kandidati i AKI-së, Bujar Osmani, ka reaguar përmes një deklarate publike, duke theksuar se çdo situatë politike është një mësim që duhet pranuar me dinjitet.

“Çairi ishte një mësim, dhe çdo mësim pranohet me dinjitet. E mora përgjegjësinë time dhe e përgëzova fituesin”, u shpreh Osmani, duke theksuar se dëshiron të lërë pas vetes një trashëgimi të kulturës politike pozitive.

Megjithatë, ai nuk i kurseu kritikat ndaj kundërshtarëve politikë, duke akuzuar disa prej tyre për arrogancë të tepruar pas fitores. “Arroganca e disave në VLEN po bëhet e gërditshme. Nuk e pranoj që për këtë arsye të nëpërkëmbet rezultati i BDI-së dhe koalicionit”, tha ai.

Osmani rikujtoi se Aleanca për Koalicionin Evropian (AKI) ka marrë mbi 114 mijë vota në raundin e parë, duke e cilësuar këtë si dëshmi se mbeten forca më e madhe politike shqiptare dhe përfaqësuesi legjitim i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ai e mbrojti liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, duke e quajtur “ideologun dhe udhëheqësin e pakontestueshëm të shqiptarëve”, ndërsa fyerjet ndaj tij i cilësoi si “shenjë dobësie morale”.

Reagimi i Osmanit vjen para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, dhe ai e shfrytëzoi këtë rast për të bërë thirrje për mobilizim të votuesve: “Në raundin e dytë duhet ta konfirmojmë kush e mban realisht vullnetin politik të shqiptarëve. AKI mbetet zëri i tyre, ndërsa Ali Ahmeti shtylla morale dhe ideore.”

Ai përfundoi deklaratën me një apel për “bashkim dhe vendosmëri” në raundin e dytë, duke ftuar shqiptarët të dalin masivisht në votim.

 

MARKETING