Visar Ademi pranon humbjen: Nuk bindëm qytetarët e zhgënjyer në Gostivar

Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, u paraqit sot para mediave pas publikimit të rezultateve zgjedhore, duke pranuar se nuk arriti të fitojë besimin e qytetarëve për të sjellë ndryshimin e dëshiruar.
“Rezultatet e zgjedhjeve dërgojnë një mesazh të qartë dhe të fortë. Pavarësisht punës së palodhur dhe kontributit të përkrahësve dhe vullnetarëve tanë, nuk arrita të motivoj qytetarët e zhgënjyer nga politikat e vjetra dhe ata që kanë humbur besimin në procesin zgjedhor që të marrin pjesë në votim,” tha Ademi.
Ai theksoi se, në kohën e shkurtër që kishin në dispozicion, nuk mundi të bindë votuesit se ekziston një alternativë reale ndaj partive të vjetra, të cilat, sipas tij, i kanë lodhur dhe zhgënjyer qytetarët prej vitesh.
Qëllimi im ishte të krijoja një lëvizje për ndryshim, por nuk arrita të fitoj besimin e qytetarëve dhe t’i bind me vizionin dhe planin tim, shtoi Ademi. Ai vuri në dukje se, edhe pse shumë votues nuk morën pjesë në zgjedhje, zëri i atyre që votuan duhet respektuar, pasi kjo është thelbi i demokracisë.
“Shpresoj që fituesi të kuptojë rëndësinë e kësaj fitoreje, por edhe të dëgjojë zërat e heshtur të atyre që këtë herë zgjedhën të mos votojnë. Është e qartë se nevojitet ndryshim, dhe qytetarët e Gostivarit meritojnë punë të ndershme dhe përkushtim për një jetë më të mirë,” u shpreh Ademi.
Ai përfundoi me një thirrje për qytetarët që të mos humbin besimin në mundësinë për një politikë më të mirë, duke falënderuar ekipin dhe të gjithë mbështetësit e tij.
“Edhe pse këtë herë nuk arritëm suksesin që dëshironim, ju ftoj të mos humbim besimin në ndryshim dhe të vazhdojmë punën për një të ardhme më të mirë,” përfundoi Ademi.