KSHZ: Deri në orën 09:00 kanë votuar 3% e qytetarëve

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e parë për shtyp, ku ka prezantuar të dhënat paraprake për daljen e votuesve deri në orën 09:00.
Sipas kryetarit të KSHZ-së, Boris Kondarko, deri në këtë orë të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 3% e qytetarëve në nivel shtetëror. Nga gjithsej 2.672 vendvotime nga ku janë mbledhur të dhënat, në listën zgjedhore janë të regjistruar 1.394.750 votues. Deri në orën 09:15, kanë votuar gjithsej 41.890 qytetarë.
Gjatë konferencës u raportua edhe për një pengesë teknike në një vendvotim në Kumanovë, ku për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, nuk është mundur përdorimi i aparatit biometrik. Siç njoftoi Kondarko, me vendim të KSHZ-së, votimi në këtë vendvotim ka vazhduar përmes procedurës alternative, duke përdorur sprej dhe llambë UV.
KSHZ do të vazhdojë të japë përditësime periodike mbi procesin zgjedhor dhe daljen e qytetarëve në votime gjatë gjithë ditës.