Erdoğan riafirmon angazhimin e Turqisë ndaj deklaratës së Sharm el-Sheikhit

Erdoğan riafirmon angazhimin e Turqisë ndaj deklaratës së Sharm el-Sheikhit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka riafirmuar angazhimin e Turqisë ndaj deklaratës së qëllimit të Samitit të Paqes në Sharm el-Sheikh për Gazën, të nënshkruar këtë javë, raporton Anadolu.

“Ne do ta mbështesim plotësisht deklaratën (e Sharm el-Sheikhit) deri në fund dhe besoj se SHBA-ja, Egjipti dhe Katari do të mbajnë një qëndrim të ngjashëm”, tha Erdoğan, duke folur në një konferencë për media pas një takimi të kabinetit në Ankara.

Komentet vijnë pas samitit të së hënës në qytetin egjiptian Sharm el-Sheikh, ku presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, pritën më shumë se 20 udhëheqës botëror, përshirë presidentin Erdoğan, për të nënshkruar një dokument mbi marrëveshjen e armëpushimit në Gaza që i dha fund luftës.

Erdoğan, Trump, Sisi dhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen që mbështet armëpushimin dhe paqen e përhershme në Gaza.

Lidhur me situatën humanitare në Gaza, Erdoğan theksoi rëndësinë e përpjekjeve ndërkombëtare për të ndihmuar palestinezët.

“Çdo përpjekje për të lehtësuar barrën e popullit të shtypur të Gazës është e vlefshme për ne. Nuk është as vendi dhe as e drejta e askujt ta nënvlerësojë këtë duke thënë thjesht ata nënshkruan një armëpushim’ ”, tha ai.

Lirimi i palestinezëve të burgosur në burgjet izraelite filloi pasi Hamasi të hënën liroi të 20 pengjet e gjalla izraelite që mbaheshin në Rripin e Gazës të hënën.

Erdoğan gjithashtu theksoi rolin e Turqisë në nxitjen e stabilitetit rajonal.

“Populli turk e ka kaluar me sukses provën e vëllazërisë dhe fqinjësisë. Marrëdhëniet tona me Sirinë po forcohen. Ndërsa stabiliteti zë rrënjë në Siri, gjithçka do të përmirësohet ndjeshëm”, tha presidenti turk.

MARKETING